DYLON

Në Bruksel u mbajt takimi i dytë për çështjen e migrimit

Avatar photo Redaksia

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialogun Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, ka marrë pjesë në takimin e dytë për çështjen e migrimeve ilegale në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian. Takimi është mbajtur me qëllim të vlerësimit të situatës në çështjet e migrimit ilegal në Kosovë, si dhe të masave që lidhen me parandalimin e kësaj dukurie.

Në takimin bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe përfaqësueseve të Komisionit Evropian, Jean Eric Paquet, Drejtor për Ballkan Perëndimor në Drejtoratin e Përgjithshëm për Politikën Evropiane për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian dhe Z. Laurent Muschel, Drejtor për Migrim dhe Azil, në Drejtoratin e Përgjithshëm për Migrim dhe Punë të Brendshme, të Komisionit Evropian, janë vlerësuar pozitivisht angazhimet e Qeverisë së Kosovës në ndaljen e dukurisë së migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, angazhime këto që janë bërë në bashkëpunim me Komisionin Evropian, vendet që janë përballë me këto migrime dhe vendet nëpër të cilat kanë ndodhur lëvizja e qytetarëve drejt destinacioneve që kanë synuar. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se Kosova tregoi një angazhim efikas në ndaljen e dukurisë së migrimeve si dhe përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar dhe bilateral është e angazhuar për rikthimin e të mërguarve si dhe reintegrimin e tyre.

EkoHigjiena

Ministrja Edita Tahiri shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar veprimtarinë në të gjitha aspektet e nevojshme për të parandaluar këtë dukuri si dhe ftoi vendet që kanë pranuar azilkërkuesit të vazhdojnë të bëjnë me dije publikisht se azilkërkuesve nuk do tu jepet e drejta për azil, si dhe theksoi rëndësinë e shpejtimit të procedurave për kthimin e tyre. Ajo po ashtu kërkoi nga BE-ja angazhime që Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në të gjitha organizatat rajonale që kanë të bëjnë me dukuritë e migrimeve, përfshirë organizatën MARRI. Ministrja Tahiri po ashtu kërkoi që të shpejtohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për t’ju mundësuar atyre të përjetojnë lëvizjen e lirë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të jetë në nivelin e duhur të përgjegjësive për të implementuar rregullat e BE-së në liberalizimin e vizave. Në vazhdim, delegacioni i Kosovës paraqiti një raport të detajuar për progresin e arritur në ndalimin efikas të dukurisë së migrimeve ilegale, duke potencuar të gjitha masat që janë marrë, që nga vetëdijesimi i qytetareve për të mos parë migrimet si zgjidhje deri te shifrat dhe faktet e procesit të kthimit të tyre, proces për të cilën Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar seriozisht.

Më pas u mbajt një takim trepalësh ku mori pjesë edhe një delegacion nga Serbia, me ç’ rast të gjitha palët u zotuan se do të bashkëpunojnë në çështjet e parandalimit të migrimeve ilegale duke vënë theksin te nevoja e këmbimit të informacioneve të ndërsjella në këtë çështje, si dhe bashkëpunimi mes policive të dyja shteteve të jetë edhe më intensiv në përballimin e kësaj sfide.

Edhe në këtë takim, përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan lartë angazhimin dhe progresin e institucioneve të Republikës së Kosovës për parandalimin e kësaj dukurie si dhe veçanërisht për efikasitetin në menaxhimin e riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës.

Ministrja Tahiri edhe me këtë rast rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të shtetit lidhur me këtë proces, duke shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e migrimit ilegal.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministrja Edita Tahiri kishte këtë përbërje: Arjeta Rexhaj Këshilltare politike, Elona Cecelia Këshilltare politike, Driton Gashi Sekretare i Përgjithshëm i MPB-së (kryesues i grupit punues), Shaban Guda Drejtor i Departamentit të Policisë Kufitare, Shqipe Mjekiqi Këshilltare e Lartë e Ministrit të MPB-së, Valon Krasniqi Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Labinot Gashi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.

http://www.rtklive.com/?id=2&r=27390

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.