Në Bibliotekën e Qytetit të Kamenicës promovohen dy botime të reja
Në Bibliotekën e Qytetit të Kamenicës u promovuan dy botime të reja: libri me poezi “Yjet e Atdheut” i autorit Xhemush Biçku dhe libri “40 teknika mësimore për orën e mësimit” me autore Sadbere Biçku.
Gjatë aktivitetit, autorët prezantuan veprat e tyre, duke ndarë me të pranishmit motivet, përvojat dhe mesazhet që përcjell secili libër.
Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësinë të njihen më nga afër me krijimtarinë poetike të Xhemush Biçkut, si dhe me kontributin e Sadbere Biçkut në fushën e arsimit dhe metodologjisë së mësimdhënies.
Në këtë organizim i pranishëm ishte edhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Afrim Dervishi, i cili vlerësoi punën dhe përkushtimin e autorëve.
“Momente të këtilla janë gjithmonë një festë për shpirtin, por sot, kjo ngjarje ka një peshë edhe më të veçantë për mua. Jemi mbledhur këtu jo vetëm për të promovuar dy libra të rinj, por për të festuar punën, përkushtimin dhe krijimtarinë”, u shpreh Dervishi.
Duke folur për librin poetik “Yjet e Atdheut”, ai po ashtu theksoi se Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje vargjesh, por një ftesë për të ndaluar pak nga vrapimi i përditshëm e për të parë botën me syrin e bukurisë dhe të reflektimit.
Vlerësim të veçantë, Drejtori Dervishi i dha edhe librit të autores Sadbere Biçku duke u shprehur se edukimi është shtylla e çdo shoqërie, dhe të trajtosh me kujdes e kompetencë teknikat mësimore është një shërbim i madh që i bëhet brezit të ri.
Promovimi u karakterizua nga diskutime mbi rëndësinë e librit, letërsisë dhe arsimit në shoqëri, ndërsa të pranishmit shprehën vlerësimin për kontributin e autorëve dhe uruan që vepra të tilla të vazhdojnë të pasurojnë jetën kulturore dhe arsimore të komunitetit.
Në fund, edhe Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, pati një vlerësim të lartë për të dy autorët, ku nga kjo drejtori u ndanë edhe mirënjohje si shenjë respekti dhe vlerësimi për krijimtarinë e tyre.
Aktiviteti përfundoi me biseda të hapura mes autorëve dhe lexuesve, si dhe me nënshkrimin e librave nga autorët. /2LONLINE/
