/2L ONLINE/ – Ballanca e Vitisë, një fshat i bukur buzë rrafshit e ngjitas malit,sot ishte organizatorë dhe mikëpritës i shkrimtarëve nga vise të ndryshme të Kosovës, Prishtina, Ferizaj, Kamenica, Presheva, Gjilani e Vitia. Për herë të parë, në historinë e këtij fshati po mbahej një takim letrar në nderim të fjalës artistike e, me shkas, pasurimin e bibliotekës së shkollës së mesme të ulët, “Safet Rexhepi”.
Në këtë ngjarje të veçantë dhe shumë mbresëlënëse që doli të ishte dhe fushata më simpatike për librin, merrnin pjesë, edhe figura publike e intelkektuale nga Universiteti i Prishtinës e i Gjilanit por, edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës si dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Natyrisht, nuk mungoi as kryetari i komunës së Vitisë,z.Sokol Haliti i cili pasi përshëndeti shkrimtarët, përgëzoi Këshillin e fshatit Ballancë si dhe shkollën për këtë organizim të qëlluar, duke i falënderuar njëkohësisht për kontributin në pasurimin me afro 500 tituj librash bibliotekën e kësaj shkolle, e cila u inaugurua vitin e kaluar.
Me fjalë rasti për librin dhe fjalën artistike u paraqitën edhe Prof dr. Isak Shema, akademik Mehmet Halimi, prof dr. Anton Nikë Berisha e kryetari i Ars Clubit “Beqir Musliu”, si inicuesi i këtij takimi, që u moderua nga Xhezide Selimi dhe u realizua nga Këshilli i fshatit Ballancë.
Më pas, shkrimtarët Ibrahim Kadriu, Ramadan Musliu, Halil Matoshi, Nexhat Rexha, Rrahim Sadiku, Jonuz Fetahaj, Xhemë Karadaku, Mehmetali Rexhepi, Kosovare Krasniqi, Asllan Qyqalla, Flamur Shala, Zyhrije Salihu, Demush Mehmeti e Xhevat Emërllahu, deklamuan krijimet e tyre para një mase të konsiderueshme nxënësish, mësimdhënësish, prindërish e artdashës jo vetëm nga Ballanca por edhe rrethina.
Në fjalën përmbyllëse të këtij takimi të frytshëm letrar , ku krijime letrare deklamuan dhe nxësit e saj, drejtori i shkollës falënderoi shkrimtarët për praninë e tyre si dhe pasurimin e bibliotekës me qindra tituj të ndryshëm, duke ju dëshiruar mirëseardhje edhe në shkolla të tjera të komunës së Vitisë.
E, këshilli i fshatit, në krye me Hetem Kurteshi, krejt këtë veprimtari letrare të kësaj dite, e kurorëzoi me një drekë, përgatitur nga vetë ballancasit, duke dëshmuar kështu bujarinë shqiptare që këto anë e kanë kultivuar në vazhdimësi.
Sabit Rrustemi