Në përvjetorin e 41-të të rënies heroike të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, figura qendrore të qëndresës shqiptare dhe përpjekjeve për liri, u organizuan një sërë aktivitetesh përkujtimore në Gjilan, në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” 2025.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i shoqëruar nga prorektorët, dekanët dhe stafi akademik i universitetit, bëri homazhe dhe vendosi buqeta lulesh në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, duke nderuar kujtimin e këtyre dy heronjve të kombit.
Pas homazheve, delegacioni vizitoi lapidarët e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës në qytet, ku u përkujtua kontributi i tyre në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare.
Gjatë vizitës në familjet e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku shprehu mirënjohjen më të thellë për sakrificën e tyre, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike. “Janari ndriçon rrugën tonë drejt lirisë dhe na përkujton sakrificën sublime të atyre që dhanë gjithçka për të ardhmen tonë. Përulemi me respekt të thellë para jetës dhe veprës së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës,” tha Rektori Dërmaku.
Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, të rënë heroikisht më 11 dhe 12 janar 1984 gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë, janë ndër figurat më të ndritura të qëndresës shqiptare. Heroizmi dhe veprat e tyre mbeten burim frymëzimi për brezat e ardhshëm dhe simbol i luftës për liri e unitet kombëtar.
Aktivitetet përkujtimore pasqyruan rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe frymëzuan një ndjenjë të thellë krenarie dhe respekti për sakrificën e heronjve të kombit. /2LONLINE/