Ndryshime, shpresë, zhgënjim
Shkruan: Amir JAKUPI
(2L ONLINE) – Të lodhur e të dërmuar nga keqqeverisja, korrupsioni, hakmarrja e diferencimi politik, keqpërdorimet, arsimimi jocilësor, shëndetësia e sëmurë, mungesa e zhvillimit ekonomik, papunësia, abuzimi me paranë publike, mospërmbushja e premtimeve, mungesa e perspektivës dhe shuarja e shpresës, qytetarët e Kamenicës vendosën më 1 dhjetor të vitit të kaluar, t’i qojnë në shtëpi një grup keqpërdoruesish që ua këputën ëndërrat e shpresat, se Kamenica mund të bëhet një vend ku jetohet mirë e dinjitetshëm. Ua treguan vendin atyre, që për më shumë se një dekadë ua futën duart në xhepa, dhe e lanë këtë komunë ‘zorrë qorre’, të izoluar, të pazhvilluar, të varfër e në boshatisje…
Qytetarët vendosën për një alternativë tjetër, me shpresën se këtij vendi do t’i vijnë ditë më të mira, dhe në mos të zgjidhen, së paku të dëgjohen hallet dhe problemet e tyre.
Pikërisht një vit pas ndryshimeve në qeverisje, pritjet nuk janë përmbushur, ndryshimet janë të papërfillshme dhe natyrisht ka vend për zhgënjim.
Buxheti i Kamenicës për vitin 2015 do të jetë i vogël dhe pjesa më e madhe do të shkoj për paga, mdëitje e shpenzime, ndërsa mezi e kapin gjysmë milionëshin investimet kapitale. Ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. Dhe pa thithje të investimeve nga donatorët dh thellim të bashkëpunimit me Qeverinë Qendrore, ‘kuleta’ e Komunës nuk do të mund t’i përballojë kërkesat e qytetarëve.
Në 19 dhjetorin e vitit të kaluar, kur kryetari i ri Kamenicës bashkë me ekipin e tij fitues ia mësynë dyerve të Komunës, qytetarët ndienë një shpresë dhe besim, se u largua e keqja 11 vjeçare dhe po vijnë ditë më të mira për Kamenicën. Pas një viti qeverisjeje, secilit qytetar natyrshëm i lindin këto pyejte:
Sa vende pune janë hapur? A është përmirësuar furnizimi me ujë? A është rritur cilësia e arsimimit? A kemi shërbime më të mira shëndetësore? A janë ndërtuar parqe e hapësira gjelbëruese? Cka është bërë për sportin dhe kulturën? Për të gjitha këto, sigurisht se është bërë shumë pak.
Sukseset
Krahas problemeve, kjo qeverisje ka realizuar suksese dhe ka bërë punë të mira, të cilat kanë ndikuar direkt në mirëqenien e qytetarëve;
Në fillim të muajit nëntor, është vënë gurëthemeli për ndërtimin e shkollës së mesme në fshatin Roganë. Është një projekt milionësh dhe objekti shkollor do t’i ketë 2 mijë e 400 metra katrorë, përshirë sallën e sporteve dhe shumë kabinete. Procesi mësimor në këtë fshat është mbajtur me vështirësi, në tri turne dhe funksionalizimi i shkollës që pritet të bëhet pas një viti, do të krijoj kushte normale për zhvillim efikas dhe kualitativ të procesit mësimor.
Brenda këtij viti, janë shtruar disa rrugë nëpër lokalitete të ndryshme të Kamenicës, të cilat kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së jetës dhe mirëqenies sociale. Vlen të përmendet rruga 5.5 kilometërshe Hogosht-Poliqke dhe rrugë e rrugica në fshatrat: Hodonoc, Koretin, Kopërnicë e Strezoc.
Komuna ka sanuar në tërësi defektet e ndricimit publik në rrugën kryesore të qytetit dhe në rrugën “Nënë Tereza”, të cilat kanë pasur probleme në vitet e kaluara. Është rregulluar ndricimi në fshatin Ruboc dhe gjatë vitit 2015 është paraparë shtrirja e rrjetit edhe në disa lokalitete të pandricuara.
Dështimet & Gabimet
Pushteti i kaluar i lejoi rrjetit të marketeve “Viva Fresh” uzurpimin e zemrës së qytetit dhe pothuaj zhdukjen e tregut. Cuditërisht aktuale po e ‘trashë zullumin’ duke mos bërë asnjë hap të vetëm për rishikimin e marrëveshjes me këtë kompani. Heshtja e organeve komunale përballë një të keqeje të trashëguar, lidhet edhe me moskryerjen e obligimeve dhe mospërmbushjen e kritereve të kontratës nga “Viva-Fresh:.
Edhe pse ka qenë premtim elektoral, kjo qeverisje nuk ka arritur të krijoj një administratë efikase, të integruar, transparente dhe më afër qytetarëve.
Vazhdimi i mandateve për drejtorë të shkollash dhe avancimi e emërimi në pozita të rëndëisshme të disa figurave kontraverse e me precedente penale.
Dështimi për shitjen e xhipit “Hyundai” dhe blerja e veturave të reja.
Cilësia e dobët e realizimit të disa projekteve
Zhagitja e projekteve ndërtimore
Politizimi i arsimit
Koalicioni
Begzad Sinani është përkujdesur që, që në fillim të mandatit ta rehatojë cështjen e funksionimit të qeverisjes. Tri drejtori PDK-së, emrat e të cilëve ishin suprizë për cdo kënd, nënkryetarin dhe katër drejtori AKR-së, si dhe katër drjetori të tjera AAK-së. Në sytë e opinionit, koalicioni trepartiak duket se po funksionon mirë, por raportet mes partnerëve një vit më pas kanë ndryshuar shumë. AAK-së i është lënë vetëm një votë në Kuvend dhe pushteti i këtij subjekti në ekzekutiv matet me forcën që ka në Asamble. Ndryshe është me AKR-në, e cila është rritur për një asambleist dhe vlerësohet si parti protagoniste bashkë me kryetarin e komunës për sukseset dhe dështimet e qeverisjes.
Beteja e Sinanit me PDK-në
Kryetari Begzad Sinani nuk ka telashe me partnerët e koalicionit qeverisës dhe acarimet e herë pas hershme me opozitën, por beteja e vërtetë e tij është me partinë e tij. Fërkimet me klanet e PDK-së kanë nisur nga koha kur po i punohej pas shpine, gjatë fushatës elektorale. Sinani është munduar t’i eliminojë dhe shtyp ‘rebelët’ e PDK-së, por sa ja ka arritur, kjo lë shumë për të dëshiruar. Ai po përballet me sabotim dhe mospërfillje edhe brenda punës në Administratë, pikërisht nga njerëzit e partisë së tij.
Kuvendi
Dhe krejt në fund të këtij vlerësimi për punën njëvjecare, pak fjalë edhe për Kuvendin, ku them me bindje të plotë se ky organ dhe drejtuesi i tij më shumë shkelin ligje e rregullore se sa punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Të ngjanë me një cirk, ku nuk merret vesh kush flet e kush si voton, me një nivel të dobët e të ulët të debatit, ku interesi personal është më i rëndësishëm se ai i përgjithshëm. Një organ ku mungon transparenca dhe që është shkëputur tërësisht prej qytetarëve. /2L ONLINE/
