Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare “Network of Peace Movement” (NOPM), ka bërë shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për 140 familje në nevojë, për t’u dalë në ndihmë rreth situatës aktuale me pandeminë COVID-19.
Kjo organizatë ka mbështetur familjet në nevojë, grupet e margjinalizuara të shoqërisë, të kthyerit dhe familje nga komunitetet shumicë dhe jo shumicë, përfshirë gratë, të moshuarit dhe fëmijët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në komunën e Kamenicës, me furnizime të nevojshme ushqimore dhe pako higjenike.
Nënkryetari për komunitete Bojan Stamenković së bashku me organizatën NOPM dhe me Qendrën për Punë dhe Mirëqenie Sociale, me ndihmën e Kryqit të Kuq vendor kanë përgatitur listën e përfituesve, duke identifikuar rastet në nevojë.
Stamenković ka thënë se Komuna e Kamenicës me mundësitë që ka iu ka dalur në ndihmë gjatë periudhës së pandemisë atyre që kanë pasur më së shumti nevojë.
“Ne si komunë në bashkëpunim me donatorë dhe organizata të ndryshme iu kemi ndihmuar atyre që kanë pasur nevojë. Falenderojmë organizatën NOPM dhe Kryqin e Kuq për bashkëpunim”, ka thënë ai.
Aksioni u përmbyll brenda 4 ditëve të punës, ku janë përfshirë vullnetarë nga komuna të cilët së bashku me stafin e NOPM siguruan transportin për shpërndarjen e 140 paketave për përfituesit. Totali i familjeve të ndihmuar është 59 familje shqiptare, 45 familje serbe, 32 familje rome dhe 4 familje goranë. Ndërsa, përfitues në bazë individuale janë gjithsej 484 individë nga të cilët 225 shqiptarë, 111 serbë, 128 romë dhe 20 goranë.