Ndërtimi i një objekti-Shtëpi për Pleq, domosdoshmëri e kohës
/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit Komunal të Gjilanit do t’i rekomandojë Komitetit për Politikë dhe Financa që në seancën e radhës të shqyrtojë mundësinë që me angazhimin e Drejtorisë së Urbanizimit të caktohet lokacioni i përshtatshëm për ndërtimin e një objekti për Shtëpi të Pleqve.
Jashar Jashari, kryetar i këtij komiteti ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se Komiteti në fjalë e ka shqyrtuar këtë çështje dhe duke pas parasysh se në Rajonin e Anamoravës jetojnë mbi 250 mijë banorë (Gjilan, Kamenicë dhe Viti), dhe duke pas parasysh edhe nivelin e papunësisë dhe varfërisë, është kërkesë dhe nevojë imediate të investohet në fushën e mirëqenies sociale, si në ndërtimin e një objekti që do të jetë Shtëpi e Pleqve, ku kishin me u strehua një numër i të moshuarve dhe të sëmurëve, si dhe të atyre të pastrehë, të cilët nuk kanë përkujdesje familjare dhe të institucioneve shëndetësore.
“Duke pas parasysh se kjo çështje do përkushtim serioz nga ekzekutivi komunal, ne si Komitet dhe njëherësh edhe si anëtar të tij që i përkasim një drejtimi human i rekomandojmë Komitetit për Politikë dhe Financa që në seancën e radhës të shqyrtojë mundësinë, që me angazhimin e Drejtorisë së Urbanizimit, të cakton lokacionin e përshtatshëm për ndërtimin e një objekti për Shtëpi të Pleqve. Njëkohësisht apelojmë që drejtoria për Shëdnetësi dhe Mirëqenie Sociale të kërkon nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, që me rishikim të buxhetit, ose të fillimit të shqyrtimit të Projekt-Buxhetit, të sigurojë mjete edhe për ndërtimin e një shtëpie për pleq”, ka thënë Jashari.
Ai tha se ndërtimi i Shtëpisë së Pleqve është imperativ i kohës, duke rikujtuar se në disa Qendra Rajonale në Kosovë, janë ndërtuar disa Shtëpi të Pleqve, dhe funksionojnë me kapacitete të plota dhe kanë mbikëqyrje apo përkujdesje institucionale shtetërore, me qëllimin më të mirë që kjo kategori e shoqërisë të mos ndihet e vetmuar dhe e anashkaluar.
“Si Komitet për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale mendojmë se duhet të shqyrtohen mundësitë , që ky objekt të ndërtohet në Rajonin e Anamoravës, qoftë edhe me mjete nga Partneriteti Publiko Privat, apo edhe nga ndonjë donacion eventual”, ka thënë Jashar Jashari, kryesuesi i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. /2L ONLINE/
