Ndërroi jetë Dr. Ukshin Ismajli, një nga figurat e shquara të shëndetësisë në Gjilan
Sot, më 12 tetor 2026, ka ndërruar jetë Dr. Ukshin Ismajli, anesteziologu i njohur dhe ish-drejtuesi i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
Dr. Ismajli ishte një ndër figurat e rëndësishme të mjekësisë në Gjilan, i cili për më shumë se katër dekada i shërbeu me përkushtim shëndetësisë dhe qytetarëve të rajonit të Anamoravës.
Ai diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, ndërsa specializimin në anesteziologji e përfundoi në Zagreb, në vitin 1988.
Ishte anesteziologu i parë në Spitalin e Gjilanit dhe për rreth dy dekada i vetmi specialist i kësaj fushe në rajonin e Anamoravës.
Gjatë karrierës së tij profesionale ushtroi funksione të rëndësishme drejtuese, përfshirë pozitën e drejtorit të Spitalit të Gjilanit nga viti 2000 deri në vitin 2007.
Nga viti 2012 drejtoi Shërbimin e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, ndërsa nga viti 2018 deri në pensionimin e tij shërbeu si drejtor klinik i spitalit.
Në vitin 2021 ushtroi për disa muaj edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni shëndetësor.
Dr. Ismajli dha kontribut të veçantë edhe në periudhat më të vështira për Kosovën, duke qenë ndër mjekët që trajtuan nxënësit e helmuar gjatë viteve 1989–1990, si dhe duke ofruar ndihmë mjekësore gjatë periudhës së luftës.
Ai u angazhua gjithashtu në përballimin e situatave emergjente, përfshirë tërmetin e vitit 2002 dhe pandeminë COVID-19.
Gjatë karrierës së tij, sipas deklarimeve personale, kishte marrë pjesë si anesteziolog në mbi 81 mijë operacione, duke dëshmuar një përvojë të jashtëzakonshme profesionale.
Në tetor të vitit 2022 u pensionua, duke përmbyllur një karrierë 41-vjeçare në shërbim të shëndetësisë.
Me ndarjen e tij nga jeta, Gjilani dhe mbarë Anamorava humbën një mjek me përvojë të rrallë, një profesionist të përkushtuar dhe një personalitet që dha kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shëndetësisë rajonale.
Dr. Ukshin Ismajli do të kujtohet për kontributin e tij shumëvjeçar, humanizmin dhe përkushtimin ndaj profesionit të mjekut.
Ngushëllime të sinqerta familjes Ismajli, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
