Kuvendi i Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë plenare të sesionit vjeshtor. Në këtë mbledhje të cilën e kryesoi nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti, deputetët shteruan vetëm dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Me këtë rast u ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh nga deputetët, ndërkaq, pyetjeve parlamentare iu përgjigjen anëtarët e kabinetit qeveritar: ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Imet Rrahmani ai i Ministrisë së Financave Avdullah Hoti, si dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Më pas, është diskutuar lidhur me mocionin e ngritur nga Grupi Parlamentar i LDK-së për shtyrjen e raportimit të kryeministrit lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, foli kryetari i këtij grupi, Ismet Beqiri, i cili kërkoi që raportimi i kryeministrit Mustafa të shtyhet për datën 22 të këtij muaji.
Ai këtë mocion e arsyetoi me atë se në këtë mbledhje mungojnë disa nga ministrat e kabinetit qeveritar. “Për shkak të mungesës së disa ministrave pjesëmarrës në bisedime, kërkojmë që raportimi i kryeministri lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015, të shtyhet për 22 shtator”, tha Beqiri. Ai më pas shtoi se në mungesë të ministrave raporti do të ishte i mangët, ndërkaq, bëri thirrje që ky mocion të mbështetet edhe nga të tjerët.
Mocioni u përkrah edhe nga Grupi Parlamentar i PDK-së, në emër të të cilit foli deputeti, Elmi Reqica.
Kundër, ndërkaq, u deklaruan Grupi Parlamentar i VV-së ai i AAK-së dhe i NISMA-s, të cilët ndërmorën veprime konkrete për të pamundësuar vijimin e mbledhjes. Për të arritur këtë deputetë të këtyre grupeve parlamentare, iu ofruan foltores, duke bërë që kryesuesi i mbledhjes të pengohet në procedim të mëtejmë të pikave. Pas kësaj, kryesuesi mori vendim për një pauzë të shkurtër (10 minuta).
Pas mbarimit të pauzës, kryesuesi e shpalli të përfunduar mbledhjen, ndërkaq njoftoi se për mbledhjen e radhës do të vendosë, të hënën, Kryesia e Kuvendit.