Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtorë, ka nderuar sot në Smirë, në përvjetorin e vdekjes, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Hysni Salihu.
Kryetari Haliti tha se ish-deputetit Salihu do t’i njihet gjithmonë kontributi i çmuar si anëtar i legjislativit kosovar në vitet e vështira të ’90-a.
“Delegatët si z. Salihu do të mbesin në historinë e popullit shqiptar ndër nismëtarët dhe udhërrëfyesit e vendit tonë për liri, çlirim e pavarësi nga pushtimi i atëhershëm serb. Ne e kemi obligim institucional që t’i nderojmë, sepse ata kanë vlerë të veçantë në kujtimet tona ”, u shpreh kryetari Haliti.
Hysni Salihu ishte anëtar i legjislativit kosovar në vitet ’90-a, kur u shpall Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut, dy dokumente të rëndësishme që i paraprinë lëvizjeve për pavarësinë dhe lirinë e vendit. /2LONLINE/