(2LONLINE) – Në shkollën fillore që e mban emrin e dëshmorit Agim Ramadani në Zhegër, është mbajtur sot një manifestim përkujtimor kushtuar martirëve të Grykës së Karadakut, të cilët u vranë nga forcat militare e paramilitare serbe në mbrojtje të pragut të shtëpisë më 30 mars të vitit 1999.
Në këtë manifestim ishte i pranishëm kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri me drejtorët komunal, si dhe përfaqësues nga jeta politike, e shoqërore, veprimtar e aktivist të Gjilanit.
Kryetari i aktivit në Zhegrës, Rrahman Agushi, ka thënë se ky përvjetor na ka bashkuar gjithmonë pa dallim partie dhe përkatësie fetare, që të jemi bashkë më familjarët në këto ditë të rënda, ku të gjithë kthejmë memorien dhe i përkujtojmë tmerret që i përjetuan familjet tona.
Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se falë martirëve e dëshmorëve tanë ne sot po e gëzojmë lirinë e Kosovës. Ai tha se para veprave të dëshmorëve e martirëve ne gjithmonë jemi të vegjël.
“Sot i përkujtojmë martirët e kësaj ane dhe i falënderojmë ata e familjet e tyre për këtë sakrificë sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë e popullit të Kosovës. Ata e mbron pragun e shtëpisë së tyre dhe ajo rezistencë dhe intervenimi i NATO-s u bënë shkas për të fituar lirinë dhe pavarësisë e Kosovës. Ne e kemi për obligim të kujdesemi për familjet e të martirëve dhe dëshmorëvre. Para veprave të dëshmorëve e martirëve ne gjithmonë ndihemi të vegjël”, tha Haziri.
Në emër të familjeve të të rënve për liri foli Tahir Tahiri, i cili tha me dhembje e kujtojmë këtë ngjarje, por në të njëjtën kohë edhe me krenari, pasi që martirët e kësaj ane u flijuan për të gëzuar ditët që sot po jetojmë. Ai kërkoi mbështetje institucionale për familjet e tyre, pasi sipas tij, deri me tash ka munguar.
Një fjalë rasti pati edhe shkrimtari i Karadakut, Sabit Rrustemi, i cili theksoi se ky përvjetor le të na mobilizojë, në rend të parë për t’i vu para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre martirëve, gjë që nuk është bërë deri tash, përkundër një padie të ushtruar si dhe kërkesës së vazhdueshme.
Në fund, për të begatuar këtë manifestim, nxënësit e shkollës fillore “Agim Ramadani” shfaqën një program, me theks të veçantë recituan poezi patriotike./2lonline/