Është e vërtetë se martesa me seks të njëjtë në shumë vende të botës po ligjërohet dhe ka një tendencë për të zgjeruar konceptin e martesës. Në këtë këndvështrim, por aktualisht kjo martesë në bazë te dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës nuk njihet.
Ismajl Sherifi & Endrit Ajeti
Martesa është marrëveshje e plotfuqishme mes burrit dhe gruas, e bazuar në qëllimin dhe zellin e tyre për të jetuar bashkërisht sipas normave juridike. Martesa si bashkim i lirë i jetesës i një burri dhe një gruaje, që lidhet para një zyrtari komunal për kurorëzim, me pëlqimin e lirë të paraparë sipas dispozitave ligjore.
Përpos kësaj këta/këto vendosin që në të ardhmen pos tjerash, të ndërtojnë një familje me një akt të mbështetur mbi baza morale dhe juridike.
Për vlefshmërinë e një martese në Republikën e Kosovës, përkatësisht, në Ligjin për Familje janë përcaktuar kushte, të cilat duhet të plotësohen.
Këto janë:
1. Vullneti i lirë i bashkëshortëve
2. Sekse të kundërta
3 .Lidhja e martesës para organit kompetent.
Si parim themelor i Kushtetutës, i cili është barazia para Ligjit (shih nenin 24 KRK), në çështjen e tillë askush nuk mund të diskriminohet mbi bazën e orientimit seksual. Nga kjo rrjedhë se martesa mes personave me gjini të njëjta nuk është e sanksionuar me Kushtetutë, por kjo është përcaktuar ekskluzivisht me Ligjin për Familje (Ligji. Nr.2004/32).
Më saktësisht në nenin 28 të Ligjit për Familje, rrjedhimisht parashihet qartë se “Për të lidhur martesë është e nevojshme që dy persona të gjinisë së kundërt, në prani të të tjerëve, të shprehin në mënyrë të lirë vullnetin dhe pajtimin e tyre për martesë përpara organit kompetent.” Dhe mungesa e sekseve të kundërta paraqet mungesë absolute për lidhjen e martesës.
Një gjë të tillë po ashtu ngjashëm e parasheh edhe Kodi i Familjes së Republikës së Shqipërisë, neni 7, i cili parasheh se ”Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”.
Ndërsa, nëse marrim Ligjin për Familje të Kroacisë këtë e parasheh neni 5, ku thuhet ”Martesa është bashkësi jetësore, e rregulluar me ligj ndërmjet një gruaje dhe një burri.”
Martesa me seks të njëjtë, përveçse nuk është lejuar me ligj, si e tillë kjo çështje është edhe e sanksionuar me dispozitat të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).Rrjedhimisht, në nenin 245, ku thotë: “Personi i autorizuar zyrtar para të cilit lidhet martesa, i cili në keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij lejon lidhjen e martesës, ndonëse është në dijeni për pengesat ligjore të cilat e ndalojnë martesën, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”.
Konkludimi
Qëllimi i këtij vështrimi është përkufizimi dhe përcaktimi më i saktë i pengesave ligjore për lidhjen e një martese mes gjinive të njëjta. Martesa e tillë është e ndaluar dhe konsiderohet si pengesë e cila sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).
/Vështrim nga studentët e Fakulteti Juridik të Universitetit “Kadri Zeka”Gjilan/