Zvillimet e fundit politike në vend, nga aspekti tragjikomik dalinë kogja një satirë interesante. Në kohën kur një numër i madh popujsh po vuajnë pasojat e pandemicë Covid-19, elita jonë politike ua ka “lehtësuar” sado pak këtë brengë Kosovarëve duke ua plasu në planin e parë krizën politike në të cilën tanimë ka hyrë vendi. Kjo satirë ka qenë jo vetëm e panevojshme, por gjithësesi edhe krejtësisht e papranueshme. Cilidoqoftë benefiti politik I kujdo, populli ynë nuk e ka merituar servimin e kësaj gjendje assesi.
Shkruan: Faton Bislimi
Rënja e Qeverisë së Kosovës përmes mocionit të mosbesimit me 25 Mars e ka vënë vendin në një rrugëtim politik me shumë të panjohura.
Gjatë muajit Mars, kisha bërë dy shkrime – njëri i botuar në mediat tona në shqip, dhe tjetri i botuar në anglishtë në SHBA – me anë të së cilave kisha elaboruar nevojën e koordinimit të politikës sonë me SHBA-të dhe mbi të gjitha kisha dhënë arsyet e interesimit kaq të hovshëm e me kaq nguti të Shtëpisë së Bardhë, respektivisht Presidentit Trump, përmes të derguarit të tij të posaqëm për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadorit Richard Grenell.
Politika e jashtme e SHBA-ve vis-à-vis Kosovës ka qenë gjithëherë e përkrahur nga të dyja taboret kryesore politike në SHBA – nga republicanët e demokratët. Dhe, kjo, falë lobit tone në SHBA nën ombrellën e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane që tash e tri dekada ka punuar me vetmohim dhe intensivisht me shumë miq nga të dyja taboret politike si në Kongres ashtu edhe në Administratën e SHBA-ve.
Fakti që jemi në vit zgjedhor presidencial në SHBA është një prej arsyeve kyce që ka ndikuar në interesimin e madh të Presidentit Trump për cështjen e Kosovës. Atij i duhet një fitore në arenen e politikës së jashtme amerikane dhe nuk ka tokë më fertile se Kosova për të bërë një gjë të tillë. Kjo, për shkak të faktit se ne jemi populli me pro-amerikan në botë, se si të tillë, normalisht se jemi të gatshëm të sakrifikojmë thuajse gjithëkca për të ruajtur miqësinë tone permanente me SHBA-të.
Por, a ishte vetëm arsyeja e mosmarrëveshjeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kërkesave të Ambasadorit Grenell për tarifën që coi Kosovën në këtë amulli politike pas rrëzimit të Qeverisë? Apo, thjeshtë, ishin konceptet politike mbi të cilat veprojnë ish-partnerët e koalicionit që nuk duruan ecjen tutje?
Institucionalizmi si Membranë Politike e LDK-së
Institucionalizmi në literaturën e shkencave politike definohet si teoria që shpjegon se si strukturat shoqerore, rregullat, normat, e rutinat e ndryshme behen pjese e një manuali autoritativ për sjelljen e shoqërisë. Një nga institutionalistët më në zë Richard W. Scott shton se institucionalizmi është vënja në pah e miteve racionale, isomorfizmit, dhe legjitimitetit. Tutjje, kolegu i tij Micheal E. Kraft, si njëri nga protagonistët kryesor të asaj që njihet si “institucionalizëm i vjetër (Old Institutionalism)” thekson se institucionalizmi është “politikbërja që vë theksin tek aspektet ligjore dhe formale të strukturave qeverisëse.” Tutje, shkencëtarët kyc të institucionalizmit, apo teorisë dominuese tashmë që njihet si “institucionalizmi i ri, apo neo-institucionalizmi (New Institutionalism, Neo-institutionalism)” – si Scott, DiMaggio dhe Powell, Meyer dhe Rowan, Schuman, etj — njëzëri pohojnë se për të mbijetuar, institucionet, duhet t’i përshtaten rregullave dhe sistemit të besimit që zotëron hapësirën ku ato veprojnë.
Në Kosovë, asnjëhërë më shumë nuk folet e nuk përmendet institucionalizmi sesa kur fjala është për LDK-në. LDK njihet si parti institucionaliste dhe plotë njerzë që sot flasin në emër të LDK-së (e, disa besa kam mëdyshje se deri dje nuk e kanë dijtë sakt as kuptimin e akronimit LDK!) e kanë gojën plotë institucionalizëm. Andaj, është mire të shohim se në kuptimin e teorisë politike të institucionalizmit, LDK si lëvizje gjithëpopullore për pavarësi në dekadën e parë të jetës së vet ka qënë pikërisht organizatë institucionaliste, sipas definimit të Scott. Ajo ka krijuar një organizim vetqeverisës në vitet e 1990-ta dhe tek strukturat shoqërore ka ndikuar që të mirëkuptohen mitet racionale dhe legjitimiteti i asaj që funksiononte si “Republika e Kosovës,” edhepse në kushte të okupimit brutal serb. Më pastaj, LDK ka vazhduar të sillet konform normës së Kraft, në periudhën e pasluftës dhe paspavarësisë, duke bërë politikë të thirrur kryesisht në norma të formaliteteve qeverisëse dhe shoqërore. Andaj, edhe sot, nëse ndalemi tek intepretimi i Kraft, thirrja per mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë dh errëzimi i Qeverisë përmes mocionit të mosbesimit si instrument formal e ligjor, është në kuadër të këtij lloj institucionalizmi të Kraft, që tanimë në shkenca politike njihet si “institucionalizmi i vjetër.”
Duke mbetë tek institucionalizmi i vjetër, LDK nuk duket se i shërben as interest të vet politik partiak, e as atij shtetëror. Institucionalizmi i LDK-së duhet të evaluojë, duhet të ecë përpara ashtu sic ka ecë vet teoria e institucionalizmit në shkenca politike, tek ajo që tani quhet “institucionalizmi i ri,” apo “neo-institucionalizëm.” E, neoinstitucionalizmi definohet nga aspekti i mbijetesës dhe vijueshmërisë së institucioneve të cilat për të mbijetuar, duhet t’i përshtaten rregullave dhe sistemit të besimit që zotëron hapësirën ku ato veprojnë. Neoistitucionalizmi tanimë në disiplina e teorive institucionaliste ku gravitojnë shumica absolute e shkencatëreve politik të kësaj fushe, sic edhe e kam cekë më lartë.
Një LDK neoinstitucionaliste do të duhej të vepronte në përputhshmëri me sistemin e besimit që zotëron hapësiron ku ne jemi sot. Me fjalë tjera, një LDK neoinstitucionaliste do të vepronte konform situates aktuale në vend. Një LDK neoinstitucionaliste nuk do ta conte vendin në amulli politike duke rrëzuar qeverinë ku vet ishte pjesëmarrëse, sepse sistemi vlerave të përkushtimit në këtë kohë prioritet kishte pandeminë e jo politikën.
A ka pasur arsye LDK të largohej nga qeverisja e përbashkët me LVV? Po, gjithësesi! Por, jo në këtë kohë. Një LDK neoinstitucionaliste do të qëndronte në Qeveri deri në momentin e parë që vendi do kthehej në normalitet, ashtu edhe sic kishte thene edhe vet Kryetari Mustafa në një letër drejtuar Kryeministrit Kurti disa dite para shkarkimit të Ministrit Veliu.
Kjo nuk ndodhi. LDK institucionaliste nuk eci në hap me kohën, si duket, dhe nuk arriti që këtë sfidë të panevojshme të krijuar nga Kurti ta kthente në avatazh politik për veti, dhe të tregohej tamam një parti neoinstitutcionaliste, ashtu sic e kërkon koha.
Anokracia (autocracy light) si Rezultat i Kultit Politik të Vetëvendosjes!
Në anën tjetër, veprimet e Kryeministrit, tanimë në detyrë, Albin Kurti, treguan një egocentrizëm të panevojshëm për të. Kulmi i shpërfaqjes së egocentrizmit të tij ishte shkarkimi i Ministrit Veliu, pa paralajmërim e pa konsultë paraprake me liderin e LDK-së, ashtu sic parashihej në marrëveshjen që ai vet e kishte nënshruar me Kryetarin Mustafa. Them kulmi, sepse Kurti edhe në raste tjera kishte shfaqur egocentrizmin e tij, përsëri pa pike nevoje – sic ishte rasti me vendimin për heqjen graduale të tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit.
Egocentrizmi është definuar si njëanshmëri kognitive që në vitin 1979 nga shkencëtarët Micheal Ross dhe Fiore Sicoly. Mirëpo, ajo që është më relevante këtu, vjen nga disiplina e psikologjisë politike, që ndërlidhë egocentrizmin me autokracinë.
Autokracia në shkenca politike definohet si një sistem i qeverisjes ku një person apo një parti ka pushtet të plotë apo absolut. Realisht, forma me e përhaur e autokracisë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë ka qenë anokracia. Anokracia, sipas shkencatëreve politik, Monty G. Marshall dhe Benjamin R. Cole, është formë e qeverisjes ku ndërthuren autokracia dhe demokracia. Pra, anokracia është një “autocracy light” apo një version i lehtë i autokracisë që përmbanë ne vete elemente të demokracisë.
Egocentrizmi i shpërfaqur nga Kryeministri Kurti dhe përkrahja në rritje për Lëvizjen Vetëvendosje! janë indikatorë bazë që një version i lehtë i autokracisë mund të arrijë në vendin tone. Mirëpo, ajo që na shpëton nga autokracia si e tillë është se rritja e përkrahjes për Kurtin nuk është sistematike aq sa është euforike; nuk është e rrënjosur në ideologjinë e tij aq sa është shpërthim i mllefit ndaj partive tjera apo alternativave tjera politike që ofron vendi. E këtu, “fajin” nuk e ka Kurti, por dëshimet e njëpasnjëshme të Qeverive të kaluara që janë krijuar nga partitë tjera pa LVV-në, deri tek kjo e fundit, e cila edhe nuk zgjati më shume se 50 ditë.
Një element tjetër që duhet pasë parasysh tek rritja e përkrahjes për Kurtin është animi tradicional yni me viktimën. Si popull i stërvuajtur, ne kemi predispozicion të parreshtur për t’u vënë në anën e viktimës. E, rrëzimi i Qeverisë LVV-LDK përmes mocionit të mosbesimit në kohë të pandemisë e ka lënë Kurtin viktimë në sytë e një shtrese të madhe të popullatës sonë. Ky “viktimizim politik” vecsa mund të thellohet në rast të krijimit të një qeverie të re, pa zgjedhje, në javët në vijim.
Krejt këto elemente, marrë sëbashku, trajektojnë një mundësi për rritje të përkrahjes ndaj Kurtit dhe LVV-së në zgjedhjet e ardhëshme. E kjo, normalisht, se i shkon për shtati Kurtit, dhe e yshqen tutje kultin politik të LVV-së.
Shpresa që u thye por nuk u shua
Pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, dhe vecanërisht pas marrëveshjes për koalicion në mes LVV dhe LDK, Kosova fitoi atë që natyrshëm u quajtë “Qeveri e Shpresës.” Kjo Qeveri, përkundër pritjeve të mëdha nga qytetarët, nuk zgjati më shumë se 50 ditë. Shpresa u thye, por nuk u shua assesi. Lincimet publike dhe lufta virtuale në mes ish-partnerëve të Qeverisë së Shpresës nëpër rrjete sociale e studio televizive nuk i bënë nder asnjërës pale. Këto janë shpërthime të momentit. Tek disa individë të caktuar, këto shpërthime kundërshtuese ndaj pales tjetër, janë më shumë uluritje për një cope pushtet në Qeverine e re që pritet të bëhen sesa gjithëcka tjetër. Andaj, kjo luftë e tanishme fjalësh nuk duhet marrë si përthyerje e pashpresë në asnjë moment. Shpresa nuk është shuar se vendi do të ketë një Qeveri që i del Zot vendit dhe popullit në mënyrën më të mire të mundëshme. Zgjedhjet e ardhëshme, nuk kam dyshim, do ta përcaktojnë këtë lloj qeverie. Andaj, sot duhet të jemi të matur dhe të përgjegjshëm për besimin qytetarë të dhënë për secilin subjekt fitues – në këtë rast si për LVV ashtu edhe LDK. Fundja, ne mund t’i ndryshojmë pozicionet tona politike sa herë që duam, por nuk mund të ndryshojmë popullin para të cilin kërkojmë besimin sa herë që dalim në zgjedhje. Ne mund të kalkulojmë e ndryshojmë sakot saherë që të ndryshon moti, por nuk guxojmë në asnjë rast të harrojmë se populli është ai i njejti që po na sheh ditë e më mire, dhe do të na vlerësojë ose ndëshkojë – në kohën e duhur – jo për nga sedra që kem vesh në atë moment, por për nga veprimet dhe vendimet tona që kanë prekë sedrën e tyre shpirtërore tash e sa vjet!
/Faton Bislimi është anëtar i Komitetit Këshillues Strategjik për Diplomacinë Qytetare pranë German Marshall Fund të SHBA-ve në Washington, DC, si dhe anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtërove të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në New York. Ka qenë kandidat i LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare./