Ndërmarrja Publike Lokale “Dardana” fuqizohet me pajisje të reja në vlerë prej rreth 40 mijë eurosh
“Ndërmarrja Publike Lokale “Dardana” në Kamenicë është pajisur me mjete dhe pajisje të reja, me vlerë prej rreth 40 mijë eurosh, me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe zgjerimit të shërbimeve për qytetarët”, njoftojnë drejtuesit e Komunës së Kamenicës.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se investimi është pjesë e përpjekjeve për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të ndërmarrjes dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
“Që nga krijimi i Ndërmarrjes Publike ‘Dardana’, kemi punuar vazhdimisht me një synim, zgjerimin e veprimtarisë dhe rritjen e kapaciteteve të saj. E kemi bërë këtë me qëllimin që ndërmarrja të jetë gjithnjë e më shumë në shërbim të Kamenicës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Rahimaj.
Sipas tij, pajisjet e reja do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më efikase, ndërsa njëkohësisht do ta lehtësojnë punën e punëtorëve dhe do të zgjerojnë gamën e shërbimeve që ofron ndërmarrja.
Në mesin e pajisjeve të reja janë multikultivatorët me pajisje shtesë, mulçerë, plugje, spërkatëse dhe kosë për traktorë, shpërndarëse plehu, cisternë, si dhe një kombi me korpë. Pajisjet do të mundësojnë ndërhyrje dhe mirëmbajtje më efikase, përfshirë edhe shërbimet në kuadër të mirëmbajtjes së ndriçimit publik.
Rahimaj ka vizituar nga afër pajisjet e reja së bashku me anëtarët e Bordit të ndërmarrjes, Jetullahun, Vehapin e Donjetën, si dhe me kolegë të NPL “Dardana”.
“Jemi të lumtur që po punojmë çdo ditë që ndërmarrja jonë të marrë formë, e punëtorëve tanë aty, punë të mbarë”, ka thënë i pari i Kamenicës. /2LONLINE/
