Ndërlidhja mes gjeneratave, çelës i ndërtimit të një të ardhme përparimtare!
/Lutfi HAZIRI/
Përshëndetje për të gjithë dhe mirë se keni ardhur në këtë sesion, i cili besoj të jetë më i rëndësishmi i konferencës vjetore të Sister Cities International mbi temën e Ndërlidhjes së Gjeneratave për Paqe, jo sepse unë jam ligjëruesi i këtij sesioni, por sepse ju jeni audienca.
Unë ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që po ju drejtohem juve sot. Kam kaluar Atlantikun për të qenë me ju sot dhe po ndihem mirë për këtë. Siç e dini, unë vij nga shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, dhe jam kryetar i Gjilanit, njërit nga qytetet më të mëdha të Kosovës.
Kur po ju shikoj juve, po më kthehen në kujtesë kujtime të ditëve të hershme të angazhimit tim në shërbim të komunitetit dhe në jetën politike. Por, kur unë kisha filluar të merrem me këto punë, kushtet në të cilat veproja ishin shume të rënda. Kosova, shteti im, ishte në okupimin serb deri në Qershor 1999, dhe gjatë asaj periudhë të ishe shqiptar ishte pretekst i mjaftueshëm për t’u diskriminuar, maltretuar, apo burgosur nga regjimit i atëhershëm serb. Historia e vendit tim paraqet një fakt fatkeq që tregon ekzistimin e aparteidit në zemër të Evropës në shekullin 21.
Sidoqoftë, ato ditë përplot vuajtje kanë marrë fund. Unë ndihem krenar që i kam shërbyer vendin dhe popullit tim, dhe që po i shërbej qytetit tim tani.
Barrierat dhe sfidat janë ndoshta mënyra më e mirë për të na dhënë mësime jetësore. Mënyra se si ne merremi me barrierat dhe sfidat që na paraqiten do ta definojë atë se kush jemi ne. Dhe, nganjëherë, ju mund të mendoni se sfidat me të cilat ballafaqoheni janë tepër të mëdha për t’u tejkaluar. dhe si rezultat, nganjëherë mund të duket se rrugëdalja e vetme është dorëzimi para tyre.
Nganjëherë, ne edhe mund të mos provojmë fare të tejkalojmë këto sfida. Mirëpo, nuk ka asnjë sfidë a barrierë të pakalueshme. Krejt çka ju duhet është vullneti. Të keni vullnet është të keni një urë që ju shpije drejtë tejkalimit të sfidave dhe barrierave. Dhe, për të kaluar këtë urë mandej, ju duhet ta shoqëroni vullnetin tuaj me punë vetëmohuese, përkushtim dhe qasje pozitive. Kështu, do të tejkaloni çdo sfidë apo barrierë.
Mirëpo, pse po flasim për sfida dhe barriera? Ndoshta do të ishte me e këndshme të flisnim për suksesin apo kohët e mira. Ndoshta! Mirëpo, çfarë kuptimi do të kishte suksesi nëse ju falet, ju jepet pa mundi? Çfarë kuptimi do të kishin kohët e mira nëse nuk do të ekzistonin edhe kohët e vështira?
Një gjeneral amerikan i mirënjohur, George Patton, ka thënë “suksesi është lartësia në të cilën ngjiteni pasi të keni prekur fundin.” Unë nuk do të mund të pajtohesha më shumë më këtë thënie. Me fjalë tjera, sukses është aftësia juaj për të tejkaluar sfidat dhe barrierat.
Në moshën tuaj, disa nga sfidat me të cilat ju ballafaqoheni është se çfarë të studioni, në cilin universitet të shkoni, apo çfarë të bëheni në të ardhmen? Apo, cila vajzë apo djalë do të ishte një e dashur apo i dashur më i mirë për ju? Dilema të mëdha, apo? Mund të jenë… Por, janë dilema të mira. Janë sfida të mira. Dhe, mënyra se si do t’i zgjidhni këto dilema e t’i tejkaloni këto sfida do ta definojë të ardhmen tuaj.
Por, çfarë mbanë e ardhmja për ju? Kush e di! Ndoshta ju do të bëheni një inxhinier i suksesshëm, apo një doktor, avokat, ndërmarrës? Çka do të jeni ju në të ardhmen? Kjo do të përcaktohet – deri diku të paktën – edhe nga e kaluara juaj, mënyra se si jeni rritur.
E kaluara juaj, miq të mi, është diçka e rëndësishme për ta konsideruar gjerësia të planifikoni të ardhmen. E kaluara e juaj është historia juaj, apo e prindërve të juaj, e lagjes suaj, familjes, shoqërisë, qytetit, apo kombit tuaj. Si individë, ne jemi të gjithë unikë. Përkundër kësaj, ne të gjithë kemi diçka të përbashkët—qytetet nga vijmë, lagjet ku jetojmë, apo edhe komunitetet të cilave iu takojmë. Kështu, ne jemi shoqëri të kësaj bote.
Dhe, përderisa fokusohemi në ecjen tonë përpara si individë, këtë duhet ta bëjmë edhe si shoqëri. Si shoqëri, në botën e globalizuar, ne mund të ecim përpara vetëm së bashku. Sfidat dhe barrierat me të cilat ballafaqohet bota jonë mund të zgjidhen vetëm kur ne bashkëpunojmë. Shoqëritë mund të jenë të racave, religjioneve, apo etnive të ndryshme, por përfundimisht të gjitha janë të një bote – të planetit tonë tokë.
Prandaj, ne duhet të punojmë së bashku – si shoqëri. Dhe për ta bërë këtë me sukses, neve na duhet ndërtuar ura lidhëse në mes të kaluarës dhe të tashmes sonë për të ndërtuar, kështu, shtegun tonë drejtë të ardhmes. Ndërlidhja ndërmjet gjeneratave është çelësi i ndërtimit të një të ardhme përparimtare për neve, për familjet tona, për komunitetet, qytetet, shtetet dhe shoqëritë tona dhe në fund për botën tonë.
Mos e merrni asnjë sfidë si të pamundur. Mos e merrni asnjë barrierë si të pakalueshme. Merreni vullnetin tuaj, te kaluarën, të tashmen, dhe të ambicien për të ardhmen si tulla mbi të cilat mund të arrini lartësi të reja. Dhe këto lartësi suksesesh nuk kanë fund. Gjithmonë bëni më të mirën që mundeni për të arritur suksesin e dëshiruar. Sepse, në fund të fundit, ju jeni e ardhmja; ju jeni suksesi për të cilin ëndërron secili prind.
Ky është vend i të lirëve dhe trimave. Ky është vend i mundësive. Merreni këto mundësi dhe ktheni ato në storje suksesi jo vetëm për vetën tuaj, por edhe për familjen tuaj, komunitetin, qytetin, dhe vendin tuaj—por edhe për botën, botën tonë. Bëjeni këtë. E di se mundeni. Po, gjithsesi mundeni.
Ju faleminderit!
18 Korrik 2015, Minneapolis, Minnesota, USA
( Kjo kumtesë është paraqitur si ligjëratë kryesore para pjesëmarrësve në Samitin për Lidërship të Ri, në konferencën e 59-të Vjetore e Sister Cities International në Minneapolis të Minesotas në SHBA )
