Ndërkombëtarët s’pranuan kërkesën e LDK-së që Specialja t’i hetojë vrasjet e pas luftës
Mundësia që Gjykata Speciale të hetojë vrasjet e pasluftës tashmë ka përfunduar për shkak të mos miratimit nga faktori ndërkombëtar. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, që ishte bërë atentat ndaj tij, thotë se faktori ndërkombëtarë është kundër që Gjykata Speciale t’i hetoj krimet e pas vitit 2000.
Salihaj ka thënë se kanë diskutuar disa herë në grupin parlamentar të LDK-së që të përfshihen edhe vrasjet e pasluftës në krimet e pretenduara që do t’i gjykojë Specialja.
“Është diskutuar disa herë dhe disa nga deputet kemi kërkuar që të përfshihen disa hetime nga Gjykata Speciale dhe periudha pas vitit 2000. Mirëpo na është thënë në mënyrë recidive që qëndrimi ndërkombëtarë është që kjo periudhë të mbyllet dhe nuk mund të shkohet më tutje, pra kjo ka qenë përgjigja dhe na është thënë nga ai drafti që e kanë bërë ndërkombëtarët nuk mund të ndryshohet asnjë presje”, ka thënë Salihaj.
Salihaj ka thënë se nuk është fare optimist se dikush mund t’i hetoj krimet e pasluftës, pasi ai dyshon në drejtësinë e Kosovës dhe në gjyqësinë e pavarur.
“Tash për tash askush, meqë nuk kemi një shtet të ligjit që do të mund ta bënte këtë, dhe nuk kemi as gjyqësi të vërtet, pra njëherë përnjëherë për fatin tonë të keq nuk mund ta bëj askush. Ne duhet të presim ndoshta ditë më të mira kur do të fillojë të sundoj ligji në Kosovë, por ju them sinqerisht se nuk jam shumë optimist. Unë personalisht kam diskutuar disa herë në grup parlamentar dhe kam kërkuar që të hetohen, për rastin tim është bërë një gjykim edhe janë dënuar disa njerëz, por ka me qindra raste tjera që nuk janë sqaruar, por përgjigja ka qenë që s’mund të ndodhë pas kohës së vitit 2000”, ka thënë Salihaj për Indeksonline.
për më tepër:
http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=171968
