DYLON

Nderim për të gjithë mësuesit shqiptarë

Avatar photo Redaksia

/Me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesit /
Genc Tafili

Përkundër pushtimeve të shumta e të gjata që nga romakët e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, gjuha shqipe u ruajt dhe u përcoll brez bas brezi. U shkrua herë me shkronja latine, herë turke e herë serbe, por asnjëherë nuk mundën ta shuajnë këtë gjuhë të ëmbël bilbili, siç e thotë Naimi ynë i madh. Shumë atdhetarë patriotë e breza derdhën edhe gjakun për gjuhën e shkronjat shqipe.

EkoHigjiena

Rilindësit tanë, Naum Veqilharxhi, Naim, Sami e Abdyl Frashëri, Çajupi, Asdeni, Pashko Vasa, Jani Vreto, Kristoforidhi, Hoxha Tahsini, Zef Serembe, Ndre Mjeda, Mihail Grameno, Luigj Gurakuqi etj. ishin pishtarët e gjuhës shqipe, ata përveç që shkruan shumë vepra ku lartësohej gjuha shqipe, dhe argumentohej se gjuha shqipe i ka rrënjët e vjetra, kërkonin me ngulm, në vazhdimësi që të hapeshin shkolla shqipe.

Këtyre thirrjeve e përpjekjeve deri në sakrificë iu përgjigjën edhe shumë shqiptarë të cilët krijuan mundësinë që të detyrojnë pushtuesit turq të lejojnë hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, më 1887.

Ishte gëzim i madh për Korçën, për popullin shqiptar në përgjithësi, sepse po hapej një dritare e re, një epokë e re, po ndizej një qiri që nuk do të shuhet kurrë.

Drejtori i parë i kësaj shkolle, Pandeli Sotiri do të jap gjithçka nga vetja që të hapet e të mbijetoi kjo shkollë, por Perandoria Osmane dhe shovinizmi grek nuk e lejonin të punonte në përhapjen e mësimit shqip deri sa edhe organizuan vrasjen e tij. Por, shkolla shqipe vazhdoi të punoi edhe për disa vite pas vdekjes së tij.

Në vazhdimësi pushtuesit u munduan t’i zhdukin shkollat e shkronjat shqipe, por sa më shumë që maltretonin arsimdashësit, aq më shumë bëheshin përpjekje dhe sakrifikonin atdhetarët të mbahej gjallë gjuha dhe shkolla shqipe. Dhe në këtë rrugë të gjatë e të mundimshme u arrit që të ruhet gjuha e stërgjyshërve tanë, gjuha e shenjtë.

Të kujtojmë, hapjen e shkollës së Vashave nga motrat Sevastian e Parashqevi Qiriazi, më 1891, Kongresin e Gjuhës Shqipe në Manastir, e përpjekjet e vazhdueshme të atdhetareve për ruajtjen dhe hapjen e shkollave shqipe deri në pavarësinë e Shqipërisë.

Edhe pas kësaj kohe, më se gjysma e popullit shqiptar përjetoi ndalimin e gjuhës shqipe, por asnjëherë nuk u ndal përpjekja që fëmijët tanë të kenë shkolla shqipe. Përpjekje për zhdukjen e gjuhës e të shkollave shqipe nga pushtuesit serb pati edhe në vitet e nëntëdhjeta të shek. XX, por përsëri populli shqiptar hapi dyert e shtëpive e kuletat dhe nuk lejoi të mbyllen shkollat. Edhe në këtë kohë pati ndjekje, shantazhe, gjykime e dënime të mësueseve atdhetar, por asnjëherë nuk mundi të ndalë rrugën e përhapjes së shkronjave shqipe e të arsimit shqip.

Duke e njohur historinë e zhvillimit dhe sakrificat e mësueseve gjatë periudhave historike, edhe në kohën më të re, mësuesit atdhetarë, u radhitën të parët në radhët e UÇK-së, sepse ishin të vetëdijshëm se vetëm në liri do të mund të zhvillohet arsimi, historia e shkenca kombëtare. Në këtë rast të kujtojmë vetëm mësuesin Halit Geci e Shaban Jashari, të cilët ndër të parët u bënë dëshmorë në mbrojtje të shkollës e gjuhës shqipe.

Sot, kur ne festojmë e kujtojmë hapjen e shkollës së parë shqipe, përkujtojmë me respektin më të lartë, duke u përkulur para të gjithë atyre mësueseve që u sakrifikuan për shkolla e për gjuhën shqipe. Nderojmë e respektojmë të gjithë veteranët e të gjithë mësuesit që po rrezatojnë dritë, po japin dituri po u lodhur e me dashuri të madhe.

Urime 7 marsi, mësues të dashur të shqiptarisë!

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.