DYLON

Ndarja e vitit mësimor-fillimi i acarit!

Ndarja e vitit mësimor-fillimi i acarit!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Nehat M.Ramadani

Gjatë, shumë gjatë e kemi pritur e kërkuar dhe asnjëherë nuk kemi heshtur, e pushuar së kërkuari, sepse s`e kishim, andaj na mungonte e na mundonte. Liria, e dashur, e ëmbël, e ngrohtë, e freskët,… erdhi me puhinë e lehtë të erës, si nusja me vello, por kësaj here e larë me gjakun e njomë, të bijave e bijve më të mirë të kësaj toke.

EkoHigjiena

Iu gëzuam pa masë, sa nga gëzimi desh u çmendëm. Po, po kështu ishte! Por, edhe meritonte të gëzoheshim tej mase, sepse po bëheshim zot në shtëpinë tonë.

Ne që deri dje mësonim në bodrume, në tenda e serra najloni, kishim mallë për shkollën, dijen, mësimin. U kthyem në objektet shkollore, por me kushte minimale për punë. Edhe kështu ishim të kënaqur sepse kolliteshim, këndonim e flisnim vet.

Por, sa dhe si menaxhuam vetëqeverisjen me arsimin shqip, pas luftës…?

Kjo është pyetja më e vështirë, së cilës nuk dëshiron t’i përgjigjet askush, e në veçanti përgjegjësit e arsimit në Kosovë 1999-2015.

Jemi dëshmitarë të faktit, se vendin e çliruam me aleatët perëndimor, të prirë nga SHBA-ja. Jemi dëshmitarë se besimtarët katolik, festojnë kërshëndellat në dhjetor dhe prill, jemi dëshmitarë se këtu kishte edhe besimtarë ortodoks, por edhe sikur të mos kishte, e kemi pakicën serbe që jeton në Kosovë. Por, kjo nuk do të thotë të kultivojmë vlerat e huaja, që tek ne nuk ngjallin kurrfarë ndjenjash.

VITI MËSIMOR DHE GJYSËMVJETORËT

Kjo bëri, që ne të bëhemi aq dorëlirë e zemërgjerë, që duke u solidarizuar me të tjerët, humbëm për vete, apo punuam në dëm të fëmijëve tanë. Kur u hartua kalendari shkollor, viti mësimor u nda në dy gjysmëvjetor, që është shumë normale. Por, fjala gjysmë tregon pjesën e barabartë me tjetrën ose gjysmën e tërësisë, apo 50% -shin?

Por, jo! Ne e ndamë vitin shkollor, jo në pjesë të barabarta, por i ndamë siç na u tek apo na thanë! Me rëndësi është të kemi edhe ne dy gjysmëvjetor, si krejt dynjaja…! Madje nuk ia ndërruam as emrin, por e lamë gjysmëvjetor!

Gjysmëvjetori do të duhej të ishte etapa e parë, përkatësisht e dytë e vitit mësimor, që do të duhej të ishte e barabartë, ose përafërsisht e barabartë 92 përkatësisht 93 ditë, apo ndarë në perioda po i bie 61.7 ditë.

SI PO VEPROHET TE NE?!

Viti shkollor-mësimor fillon me një shtator dhe përfundon me javën e tretë të dhjetorit ose katërt të dhjetorit që do të thot 82 ditë, me një kohëzgjatje përafërsisht 4 muaj. Ndërsa, gjysëmvjetori i dytë fillon me javën e dytë të janarit, dhe përfundon me javën e tretë të qershorit, që i bie 5 muaj, ose 103 ditë.

Nëse nisemi nga kjo që u tha, del se dallimi prej njërit në tjetrin “gjysmëvjetor” është hiq më pak se një muaj ose 21 ditë pune. Apo vala më e madhe e të ftohtit dy-tre javë të janarit dhe dy të shkurtit mbahet mësim, në vend se gjysma e parë e janarit të përfshihet me mësim nxënie në vazhdim të gjysmëvjetorit të parë, dy javët e dyta të janarit të jenë pushim dimëror dhe mësimi të filloj në shkurt, për të përfunduar më së voni më 15 qershor niveli Parafillor, fillor, i MU. dhe fundi i majit SHML.

KU MBETI PRA GJYSMËVJETORI?!

Cila është cilësia e arsimit, sipas këtyre gjysmëvjetorëve?!

Pas, dy muaj e gjysmë pushimi, nxënësit me dashuri, vullnet dhe entuziazëm i përvishen punës dhe mësimit. Në këtë mënyrë ata me mundësitë dhe kapacitetet e tyre bëjnë gjithçka është e mundur që të arrijnë synimin e tyre, që padyshim është mësimnxënia më e madhe. Dhe, taman të arrijnë nxemjen, ata i ftohim, sepse duhet të shkojnë në “pushim” dimëror!

Gjysëmvjetori i dytë fillon në fazën më kritike të dimrit, në javën e dytë. Atëherë kur acari, bora dhe ferfëllëzat, janë të pashmangshme. Gjendja e shkollave jo e dëshiruar, por edhe vijueshmëria e nxënësve udhëtar, jo e kënaqshme.

Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë

S`di sa janë kompetent, a janë mësimdhënës shkollash fillore, të mesme të ulëta, apo të mesme të larta vendimmarrësit dhe këshilltarët e tyre, kur nuk janë në gjendje të kuptojnë vështirësitë me të cilat ballafaqohen nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, me tejzgjatjen e vitit mësimor. Kalimi i muajit maj në shumicën dërmuese, për të mos thënë në të gjitha shkollat e Kosovës, në proces të rregullt mësimor, jo që nuk është efektiv, por është i dëmshëm në të gjitha aspektet, pedagogjik, moral, material e fizik. Përvojat e shkollave të perëndimit, nuk përkojnë fare me realitetin e shkollave tona, në aspektin fizik, sepse atje kanë klimatizim, ambiente më të përshtatshme pune, etj.

Prandaj, ndarja e vitit shkollor-mësimor, në gjysmëvjetor të barabartë, që nënkupton 15 janarin ose afërsisht, është domosdo e arritshmërisë më të lartë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Rënia e suksesit për tokë, çfarë e kemi sot në Kosovë, është edhe pasojë e një lodhjeje të nxënësve, mësimdhënësve e prindërve, me stërzgjatjen e vitit mësimor.

PUSHIMET DHE FESTAT

Festat e ndryshme fetare, nuk janë detyrim pushimesh për Kosovën si shtet laik. Por, nëse vendoset të jenë ditë pushimi, do të ishte shumë në rregull që të festonin, secili festën e vet, e jo t`iu imponoheshin. Sërbët edhe sot nuk i festojnë festat muslimane e katolike! Prandaj, cila është arsyeja e pushimeve tona në festat e tyre? Ose, dita e Evropës, festë të cilën nuk e feston vet Evropa, ndërsa e festojme ne!
Vallë, mos po bëhemi më katolik se Papa.

Zaten, festa do të duhej të shënonte një ditë me rëndësi në jetën e çdo njeriu, në kalendarin e tij historik, kombëtar a fetar. E çfarë ndjejnë katolikët, ortodoksët e muslimanët për festat e tjetrit?! Edhe kur festohen festat, të festohen ditët e festave, e jo një ditë më vonë, nëse festa qëllon të jetë në ditë pushimi.  Cila është logjika e të lindurve më 29 shkurt, e ta festojnë tri vjet datëlindjen më një mars?

Në përfundimi të këtij shkrimi, që nuk është vetëm mendim dhe opinion imi, të theksoj se ai-ata që ndërmarrin nismë në nivel qendror – ministror, ta ndryshojnë këtë kalendar, do të radhiteshin në HEROJ të PUNËS , ndryshe nuk jemi në shërbim të nxënësve, prindërve dhe shoqërisë, por të kuaziintelektualëve dhe demagogëve, që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.