Ndalohet i dyshuari lidhur me rastin e sulmit të ekipit të “Klan Kosova” në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se lidhur me rastin e sulmit ndaj ekipit të “Klan Kosova”, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet I.R, në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas informatave fillestare, rasti ka ndodhur sot më 07 tetor 2026, rreth ores 11:44, në rrugën “Hamit Rexhepi”, në Ferizaj, ku disa persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht ekipin e “Klan Kosova,” të cilët ishin duke xhiruar në atë lagje lidhur me një çështje pronësore.
Lidhur me këtë rast tre (3) persona të tjerë aktualisht ndodhen në arrati, ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave tjerë të dyshuar.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore lidhur me këtë rast dhe thekson se sulmet ndaj gazetarëve dhe pengimi i tyre në ushtrimin e detyrës janë të papranueshme dhe mbetet e përkushtuar për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. /2LONLINE/
