Ndahet nga jeta aktori Jashar Shahiqi
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Jashar Shahiqi.
I lindur më 17 mars 1954, Jashar Shahiqi ishte një ndër figurat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë sonë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në skenën teatrore të Gjilanit dhe më gjerë.
Në vitin 1977 përfundoi studimet në Degën e Artit Dramatik të Universitetit të Prishtinës, në klasën e profesorit Faruk Begolli. Që nga fillimi i karrierës si aktor profesionist e deri në pensionim, ai i shërbeu skenës me përkushtim, dinjitet dhe dashuri të rrallë. Ishte aktor i kompletuar, që çdo roli dinte t’i jepte identitet, thellësi dhe vlerë artistike. Nga viti 2002 deri më 2005, Jashar Shahiqi e udhëhoqi Teatrin e Gjilanit edhe në cilësinë e drejtorit, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe jetën institucionale të teatrit.
Sot, Teatri i Gjilanit humbi njërin prej aktorëve të tij më të çmuar. Rolet, puna dhe kujtimi i tij do të jetojnë përgjithmonë në historinë e teatrit tonë.
Trupa dhe stafi i Teatrit të Gjilanit i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Shahiqi, kolegëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan.
/Teatri i Gjilanit/
