Ndahen certifikata për vijuesit e kursit të gjuhës shqipe dhe serbe

(2L ONLINE) – Përfaqësues të Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Kamenicës Begzad Sinani, kanë ndarë certifikatat për kursistët e gjuhës serbe dhe shqipe në Komunën e Kamenicës.

Kryetari Sinani, falënderoi këtë Qendër për financimin e këtij projekti, duke vlerësuar se ishte dhe vazhdon të mbetet një ndër projektet që kontribuon në komunikimin mes zyrtarëve të Komunës, duke marrë parasysh se në Komunën e Kamenicës ka edhe nëpunës të minoritetit serb.

“Ky është një projekt që kontribuon mjaft në Komunën tonë, duke pasur parasysh që ne kemi nëpunës shqiptarë dhe serbë. Falënderoj Qendrën Evropiane për Çështje të Minoriteteve, Zyrën e Kryeministrit dhe OSCE-në për mbështetjen e këtij projekti që ka rëndësi të veçantë pasi që jep një lehtësim të madh në komunikimin e përditshëm në Komunën tonë, e që është pothuajse një domosdoshmëri”, tha veç tjerash kryetari Sinani.

Në fund, Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve, bëri me dije se projekti do të vazhdojë edhe në vitin tjetër. /2L ONLINE/

KOMENTE