/2L ONLINE/ – “Jemi në një konferencë të rregullt…”. Kështu e nisi konferencën e sotme me gazetarë, Nazmi Musa drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit(DKA) në Gjilan, duke ironizuar kështu me kërkesën e opozitës (PDK e Vetëvendosje), për seancë të jashtëzakonshme për arsimin, bërë ditë më parë, por që dështoi, pasi anëtarët e Kuvendit nga pozita, nuk shkuan në seancë duke pamundësuar të ketë kuorum.
Megjithatë ai kishte qenë prezentë në atë seancë për t’u ballafaquar me kritikat e opozitës, për të cilat tha se janë vetëm zhurmë dhe asgjë tjetër. Lidhur me kritikat e opozitës për çështje të arsimit, Musa ka thënë se opozita jo që po i zmadhon gjërat e paqena, por edhe po i stërmadhon, pa pas bazë, fakte e argumente.
Për të parin e arsimit gjilanas, kritikat e opozitës janë shumë lehtë të demantueshme ndërkohë që lavdëroi punën që është bërë përgjatë këtyre nëntë muajve në sferë ne arsimit. Musa tha se nuk i ik asnjëherë debatit për çështje të arsimit, është i gatshëm për ballafaqim me opozitën kurdo, por theksoi se nuk është për seanca të jashtëzakonshme, sepse asgjë nuk ka të jashtëzakonshme dhe as Gjilani nuk gjendet në një gjendje të jashtëzakonshme.
Ai shtoi se dikujt nuk po i pëlqen qetësia andaj po do gjëra të jashtëzakonshme, por se tha se ai është njeri i zakonshëm dhe përkrahë idenë se në çdo seancë të rregullt të flitet për arsimin, e pse jo të ketë edhe seancë vetëm për çështje të arsimit, por ai tha se ajo seancë duhet të jetë e zakonshme, e rregullt.
Tekefundit, siç tha ai, u pa fuqia e opozitës, për të ftuar një seancë, e cila u dështoi, duke iu bërë e qartë asaj, se dihet kush i fton seancat dhe si. /2L ONLINE/