DYLON

Nazmi Musa: Gjilani, model për arsim cilësor në nivel Republike

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Investimet e pandërprera në infrastrukturë shkollore, cilësinë në rritje në arsim, disiplina nëpër shkolla, sukseset e nxënësve nëpër gara të ndryshme, janë elementet e fuqishme që kanë përcjellur arsimin e Gjilanit për periudhën janar – mars 2016, ka potencuar në konferencën me gazetarë, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa.

Lidhur me rritjen e cilësisë në arsim, drejtori Musa, ka thënë se kjo është arritur falë një analize të kujdesshme që është bërë në fillim të këtij viti shkollor dhe me hapat e ndërmarrë bashkërisht janë shënuar rezultate konkrete.

EkoHigjiena

Ai shtoi se Gjilani tashmë është model dhe pikë referente të një arsimi cilësor në nivel vendi dhe këtë vlerësim po e japin ekspertët vendor dhe organizatat e fuqishme ndërkombëtare.

“Me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fillim të këtij viti shkollor kemi bërë analiza të detajuara që në cilësinë e arsimit të kemi performim sa më të mirë. Së bashku me GIZ-in, kemi organizuar trajnime, të cilat në fillim të vitit 2016 kanë dhënë rezultatet e para në ngritje të cilësisë. Sot të gjithë mësimdhënësit e shkollave tona kanë përgatitjen adekuate për punën që e bëjnë në shkolla dhe detyra që kanë po dëshmohen me suksese”, tha drejtori Musa.

Ai, gjithashtu, ka potencuar suksesin e nxënësve në gara të ndryshme si ato komunale shtetrore apo edhe ndërkombëtare, duke potencuar faktin që nxënësit e Gjilanit janë pothuajse në çdo garë ata që ndajnë me moshatarët e tyre, tri vendet e para.

Edhe me investimet në infrastrukturën shkollore Gjilani është në rrugë të mbarë sepse po punohet gjithandej në krijim të kushteve më të mira për nxënësit, e që numri i tyre është mbi 18 mijë.

“Këto ditë në infrastrukturën shkollore presim përurimin e shkollës së re “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan. Gjithashtu, është duke vazhduar ndërtimi i dy sallave sportive të edukatës fizike në shkollën “Abaz Ajeti” në qytet dhe shkollës “Liria” në fshatin Pogragjë. Ndërtimi i çerdhes në lagjen “Dardania” është në tenderim dhe presim përmbylljen e procedurave tenderuese në mënyrë që të nisin punimet më pas edhe atje. Me mbarimin e vitit shkollor, do të filloj edhe projekti tjetër me rëndësi ai për ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme”, ka thënë drejtori Musa.

Musa ka informuar se së bashku me Bankën Gjermane për Zhvillim do të bëhet renovimi i shkollës në fshatin Përlepnicë, në Bresalc dhe në Livoç të Ulët.

Drejtori arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, ka falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe Ministrinë e Arsimit, USAID-in, Kolegjet Private, GIZ-in, Caritasin Zviceran, Save the Children, Drejtorinë e Arsimit të Bursës, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët e tjerë të shumtë që janë të angazhuar për arsimin dhe në ngritjen, suksesin, cilësinë, disiplinën në arsimin e Gjilanit. ​/2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.