Nazim Mehmeti synon ulëse në Kuvend, thotë se do të punojë me transparencë, ndershmëri dhe përgjegjësi maksimale
Ndër ata që përherë të parë synon postin e anëtarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit është edhe Nazim Mehmeti, inxhinier i makinerisë, kuadër i Zagrebit.
Ai është pjesë e listës garuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që në zgjedhjet e 12 tetorit synon të jetë pjesë e Kuvendit Komunal për, siç thotë ai, për t’iu shërbyer qytetarëve të komunës.
“Angazhimi im si anëtar i Kuvendit Komunal nuk do të ishte vetëm një detyrë politike, por një përkushtim i vazhdueshëm ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit tonë, përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve dhe krijimit të mundësive të reja”, ka thënë Mehmeti i LDK-së.
Ai tha se do të ndihej i nderuar për të qenë përfaqësues i vullnetit qytetar, pasi qëllimi i tij është të dëgjojë zërin e secilit, të jep kontribut konkret në vendimmarrje dhe të punojë me transparencë, ndershmëri dhe përgjegjësi maksimale.
“Jam i bindur se këtë rrugëtim do ta vazhdojmë së bashku. Prandaj, ju ftoj të qëndroni krah nesh, për të jetësuar çdo objektiv që kemi përpara dhe për ta rikthyer Gjilanin aty ku e meriton të jetë. Gjilani meriton më të mirën, ne jemi gati për të vepruar”, ka thënë në një adresim qytetarëve gjilanas, Nazim Mehmeti, kandidati i LDK-së për asamble komunale, në zgjedhjet e 12 tetorit. /2LONLINE/
