Në nismë të seancës së sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Nazim Gagica, anëtar i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka qenë kritik ndaj institucioneve komunale që nuk e nderuan me një akademi përkujtimore, doajenin e gazetarisë, Hasan Bunjakun, që ndërroi jetë ditë më parë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Ditë që lamë pas, na iku një njeri, koleg, gazetar, publicist, kritik i dramës, dhe është për të ardhur keq që institucionet nuk u kujtuan të organizojnë një akademi përkujtimore për të ndjerin Hasan Bunjaku”, ka thënë Gagica, për të shtuar se, as Drejtoria e Kulturës, nuk bëri gjë për këtë personalitet që kulturës ia kushtoi tërë jetën, madje nuk morën pjesë as në lamtumirën e fundit (varrim).
Gagica, kërkoi që ky institucion, Kuvendi Komunal, ta nderojë sot këtë personalitet me një minutë heshtje.
Me këtë u pajtua edhe Bujar Nevzati, anëtar tjetër i Kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për të kërkuar që nderimi me një minutë heshtje të bëhet edhe për profesorin Shefik Halitin, i cili po ashtu ditë më parë ka ndërruar jetë, transmeton 2LONLINE.com.
Pas miratimit të këtyre propozimeve, kuvendarët nderuar me një minutë heshtje këto dy personalitete.
Seanca po vazhdon tutje, sipas rendit të ditës. /2LONLINE/