DYLON

Naser Zymberi, kalorësi që asnjëherë nuk rreshti së luftuari në përfaqësimin e vlerave kulturore

Naser Zymberi, kalorësi që asnjëherë nuk rreshti së luftuari në përfaqësimin e vlerave kulturore
Avatar photo Redaksia

Profesionisti që vuri veten në mbrojte të pakushtëzuar në shërbim të teatrit nga dimensione të ndryshme.  

Nga: Isak N. Bilalli

EkoHigjiena

Skena për Naser Zymberin ka qenë dhe vazhdon të jetë mejdan ku luftohet për te paraqitur dritëhijet e dhimbjeve, shqetësimeve e brengave për të kaluarën e të ardhmen, është vendi ku njerëzit vijnë për të mësuar të vërtetën, historinë etj. Është hapësira ku njerëzit vijnë të mësojnë për vetveten se si duhet te jetohet me të tjerët dhe për të tjerët. Mbi këtë koncept, ai ndërtoi filozofinë profesionale dhe vuri në dispozicion potencialin e tij në shërbim të skenës, artit e kulturës në përgjithësi, me qëllimin e vetëm të realizojë këtë objektiv fisnik ashtu siç i kërkohet një artisti të jetë në shërbim të publikut. 

Naseri, është një nga aktorët e plejadës së vjetër së teatrit të qytetit të Gjilanit i cili edhe sot që është në pension vazhdon të prodhoje po aq sa ishte aktiv, në mos më shumë tani, punë e cila është admiruar dhe vazhdon të vlerësohet nga qarqet kolegiale por në veçanti nga publiku si profesionist që ka bërë role shumë te pëlqyera dhe mbresëlënëse.  Nuk janë të paktë ata që e krahasojnë punën e tij me thënien që “vera sa më e moçme të jetë shijen e ka më të hollë” simbolikë e cila ka shumë të vërteta sepse Naseri edhe pse në moshë të madhe vazhdon të realizoje role brilante që e mahnit publikun në vazhdimësi.

Ai, është disi më i veçuar nga plejada e aktorëve më të cilët ka bashkëpunuar e jetuar në skenë si aktor me një diksion të pastër dhe një zë radiofonik potent, tipare që i kanë dhënë avantazhin të jetë i dalluar në skenë, qoftë në role kryesore apo dytësore. Për te, nuk ka qenë asnjëherë  esenciale zaptimi i një roli potencial për të shkëlqyer me çdo kusht në skenë por rëndësi ka patur gjithmonë, zgjedhja në shërbim të realizimit sa më cilësor të shfaqjes. Naseri ka ditur të luaj në skenë për publikun dhe për rrjedhojë nuk e ka patur për brenge veten e tij sepse i ka interesuar vetëm shfaqja duke e nxjerrë me çdo kusht këtë të fundit në plan të parë.

Si aktor, ai shquhet me nuhatje të mprehtë artistike i cili ka punuar me teatër bërës të shumtë me të cilët ka realizuar një game të gjerë rolesh, krijimtari e cila dominohet ekskluzivisht në teatrin e qytetit të Gjilanit. Jo për efekt krahasimi me të tjerët por Naseri ka ditur gjithmonë të gdhend karakteret dhe të i përpunojë në detaje duke qenë gjithmonë në të njëjtën faqe me regjisorin/ët. Ai ka arritur dhe arrin me shumë zotësi të lexojë qartë regjisorin e shfaqjes se ku dhe si është paraparë roli i tij dhe më pas arrin të ngjesh brumin ashtu si di vetë për t’ia dhënë formën dhe shijen e duhur.

Shkeljen e parë në skenë, profesionalisht e realizoi në Teatrin Akademik “Ramiz Sadiku” me shfaqjen “Kaligula e Albert Camy-se” në regji të Xhemil Vraniqit bashkë me studentët Basri Capriqi, Avdi Tmava, aktoren Melihate Qena e të tjerë. Atëbotë, Naseri ishte student në Fakultetin Filologjik në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe e që vazhdoi pothuajse me të njëjtin përkushtim rinor të ia dedikoje jetën e tij profesionale skenës në teatrin e qytetit të Gjilanit.

Në njëfarë mënyre krijimtaria e tij lidhet pashmangshmërisht me rrugëtimin dhe sfidat që i kaloi ky teatër, kjo për shkak të faktorit kohë sepse ai në vitet më të vështira të ekzistencës së tij, ishte në zemër të vështirësive të këtij tempulli kulture dhe si kolegë/artistë të tjerë qëndruan stoik në përfaqësimin dhe ngritjen e vlerave të cilat i ka për mision kjo shtëpi e madhe dhe çdo aktor.

Në këtë prizëm, padyshim që skena, respektivisht loja në skenë mbetet dashuria e tij e parë dhe e pa-zëvendësuar në të cilën ai ndjehet vetja e tij, është bina ambienti ku ai di të marr frymë më lirshëm, janë dërrasat e skenës ku ai hapëron më bindshëm dhe më ndryshe, janë muret e teatrit ku zëri i tij kumbon edhe nëpër skutat më të vogla, është teatri që është më shumë se streha e tij.  

Padyshim, ai shquhet për dhunti të rafinuara, për të cilat është për t’i patur zili. Për t’u spikatur është në radhë të parë tipari dallues për të deklamuar dhe interpretuar me një artikulim bravoroz çdo rol apo copëz proze a poezie. Këtë veçanti ja mundëson dhuntia e tij për të ia dhënë vendin e duhur në skenë fjalës të cilën arrin ta përcjell me shumë dinjitetet e pasion tek publiku. Naseri është vlerësuar gjithmonë si timbër i veçantë me potencë të lartë skenike që gjithmonë e ka përcjelle me spontanitetin më të lartë role që kane lënë gjurmë në memorien e publikut.

Në njëfarë mënyre, ai arrin ta paraqesë fjalën në skenë me një peshë specifike të lartë dhe i jep vlerë të madhe në lojën skenike. Kjo specifike jo e zakonshme e tij, nxjerr në sipërfaqe kureshtjen që shumë mund të pyesin “Si dhe prej nga buron kjo veçanti e rrallë e këtij aktori”?

Naseri si i fëmijë kishte një dashuri të theksuar ndaj elektronikes dhe recitimit  të cilat pasione i ushqente me një zell të madh. Interesante është se si intuita fëmijërore e kishte quar në gërshetimin e këtyre dy pasioneve, kombinim të cilin edhe të rriturit vështirë ta deshifrojnë si emërues të përbashkët në shërbim të artit. Ai, si adoleshent ndërtonte radio transmetues në kushte shtëpie duke vendosur antena me qëllim të mbulimit te një hapësire transmetuese dhe e bënte këtë që të recitonte poezi në radio ku mund ta dëgjonin bashkëfshatarët. Aq sa kjo është një histori mbresëlënëse është edhe unike shikuar nga prizmi i kreativitetit dhe zgjuarsisë me të cilën formule ky djalosh përdorte mjetet rrethanore për të prodhuar art në kushte të pazakonta. Ne vazhdimësi, ky i ri regjistronte në kasetofonin e tij të vogël tekste te shkurtra, dialogje, monologje, poezi, drama, proza dhe provonte t’i transmetonte si radiodrama për audiencën e tij. E vërtetë sepse kjo fëmijëri e adoleshencë gjason si skenarë filmi por është historia jetësore profesionale në teatër, afërsisht e përmasave të njëjta, të cilin (Naserin) e ka thërritur në një fare forme arti e kultura për t’i shërbyer në të ardhmen.

Nën rrethanat e tilla, nuk ka se si të mos lindte dashuria e tij e fortë për profesionin e aktorit dhe këtë ndjesi e provoi që në bankat e shkollës fillore në vitin 1972 duke u angazhuar në shfaqjen “Vëllazëri e interes” nën regjizuren e mësuesit të tij të gjuhës shqipe, rrugëtim i cili akoma vazhdon sot e asaj dite …

Karrierë e bujshme artistike e një aktori që ia kushtoi jetën teatrit

Përgjatë karrierës jetësore aktori Zymberi, realizoi role të shumta, të cilat interpretime kanë lënë gjurmë në memorien institucionale të teatrit. Të elaborosh gjerësisht mbi kompleksitetin dhe realizueshmërinë e roleve të realizuara nga ky aktor, do kohë dhe nevojitet një format tjetër për te përmbledhur sado shkurt këtë krijimtari të bujshme. Me raste, kritika i ka dhënë vlerësimet e veta të cilat sot e bëjnë këtë aktor të ndjehet i nderuar dhe i respektuar, por është me rëndësi që sot të shtjellojmë kontributin e tij në linja të trasha për të kuptuar rëndësinë e shërbimit që e ka ofruar ne promovimin e artit e kulturës në përgjithësi.

Fillesat e tij të para në skene përkojnë me kohën kur teatrit të qytetit i bashkohen emra të mëdhenj të artit të kohës siç janë regjisoret: Fetah Mehmeti, Muharrem Shahiqi, Ruzhdi Mehmeti, Nuhi Matoshi, të cilët vunë në skenë veprat teatrale botërore dhe jo vetëm, në të cilën kohë Naseri bëhet pjesë e pandashme e kastës së aktorëve që prodhuan këto shfaqje. Në ato kohë, Naserin e gjeje pjesë e ekipit të aktorëve në të gjitha shfaqjet e teatrit dhe atë në role të ndryshme përfshirë edhe aktivitetet kulturore të kohës, për të cilin kontribut duhet salutuar dhe falënderuar në mënyrë të veçantë, gjithë këtë kastë aktorësh e regjisorësh që dhanë kontribut të çmuar për teatrin dhe zhvillimin kulturorë. Të kujtojmë që kjo ishte koha kur të gjithë këta art bërës bashkë me Zymberin filluan të vendosin tullat e para të ndërtimit dhe të konsolidimit të teatrit të qytetit dhe dalëngadalë arritën të ngrinin nivelin më të lartë të cilësisë artistike në Krahinë (Kosova në ato kohë njihej si krahinë autonome) deri në vlerësimet më të larta në kompeticionet republikane e federative të kohës.

Naseri, pothuajse nuk ka munguar pothuajse në asnjë shfaqje dhe ka qenë pjesëtarë i rëndësishëm i shfaqjeve që kanë përfaqësuar teatrin e Gjilanit dhe Kosovën. 

Një faze tjetër e rëndësishme e kontributit të Zymberit është koha e masave të dhunshme të instaluara nga regjimi serbo-sllav, kur të gjithë punëtorët shqiptarë pushohen nga puna përfshirë edhe punonjësit e teatrit, etapë në të cilën roli i tij profesional ndjek një trajektore tjetër. Ai, shumë shpejt arrin të shndërrohet në një nga lokomotivat e aktiviteteve kulturore në Komune jo më në rrafshin skenik por organizativ. Kjo kohe e rezistencës dhe mbajtjes gjallë të kulturës e detyruan atë të largohet pjesërisht nga skena dhe të merr përsipër përgjegjësira udhëheqëse e menaxheriale të cilat doemos kishin ndërlidhje me teatrin dhe rreth teatrit. Janë, rrethanat e kohës që ja diktuan të njëjtin angazhim edhe pas periudhës pas luftës 1999 në përcjelljen e përvojave menaxheriale nga pozita e drejtorit të këtij institucioni sepse në atë kohë kërkohej njohje e gjithanshme e problematikave rreth teatrit, te cilat Naseri i posedonte.

Ai kishte ekspertizën dhe përvojën për të siguruar zgjidhje të mençura dhe të qëndrueshme për teatrin.

Mbase dallgët e shtrëngatave me të cilat u përball teatri ndër dekadash e bënë Naserin që të ushtrojë më shumë përgjegjësira jashtë skenës, përfshirë edhe kohën e para pensionimit ku ushtroi post drejtues në Shoqatën Sindikale të Teatrit, gjithmonë në mbrojtjen e interesave të aktorëve me instancat qeverisëse të vendit. Por, zemra gjithmonë i ka rrahur për skenën ndaj dhe çdo funksion që ka ushtruar ka qenë në shërbim të skenës dhe teatrit duke mos u treguar asnjëherë nazeli por i gatshëm të pranoje dhe te i dal ne krye çfarëdo lloj sfide që ndërlidhej me teatrin duke u shquar si nga më meritoret për punën e tij të palodhshme.

Ti kthehemi përsëri skenës, sepse krijimtaria e Naserit ka lidhje të forta emocionale me rolet në skene se sa kontributi në administrimin apo stilin menaxherial që ka aplikuar si drejtues i shtëpisë së teatrit pavarësisht që gjate shërbimit si drejtues, në plan të parë gjithmonë e ka patur aktorin dhe shfaqjen.  

Ai, ka ditur të zbatoje një komunikim përafrues dhe inkluziv me të gjithë punonjësit e teatrit sepse sipas filozofisë së tij aktorët dhe punonjësit e teatrit pavarësisht pozitave që mbajnë, janë ata/ato që mbajnë gjallë këtë shtëpi. Përqasje të tillë shumë të hapur dhe gjithëpërfshirëse Naseri ka patur në veçanti me amatorët të cilëve ua ka hapur dyert e mëdha duke i bërë të gjithë të ndihen anëtarë të barabartë dhe bashkëpjesëmarrës në çfarëdo projekti me të cilin kanë ardhur në teatër. Kur jemi te respekti e dashuria e tij për njerëzit që i shërbejnë shfaqjes, mbase mund të nxirret përfundimi që Naser Zymberi është një nga kalorësit e kohërave moderne që ka ditur të jetë gardian dhe shërbëtor i zellshëm i skenës i cili nuk ka kursyer asgjë nga vetja në plotësimin e misionit të tij profesionalo-jetësorë. Ai ka arritur të jetë një nga udhëheqësit dhe aktorët që ka ditur më së miri të ushtrojë influencën e tij në krijimin e një fryme ekipore dhe t’i shërbej më së miri shfaqjes dhe realizimit të suksesshëm skenik.

Kolegë të shumtë, njëzëri e kanë cilësuar si njeri me elegancë në punë, fjalëpak, tejet i rregullt e korrekt, bashkëpunues, ideator, ndihmues e kolegial në ndërtimin e karaktereve, kërkues për të gjetur gjuhën skenike të duhur që komunikon me publikun krejt natyrshëm dhe pa vështirësi. 

Arkiva personale e tij numëron çmime nga festivale të ndryshme e konkurrime të shumta si dhe mirënjohje që i janë dhënë në shenjë vlerësimi nga ana e Teatrit dhe Komunës deri në vlerësimin për krijimtari jetësore për të cilat Naseri ndjehet i respektuar dhe i nderuar. Përveç në skenë, Naserin e gjejmë edhe në projekte të shumta artistike si aktor edhe në industrinë e filmit, në të cilën disipline ai ka spikatur me role të rëndësishme kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër dhe jo vetëm.

Krijimtaria artistike e tij, testament trashëgimie

Krijimtaria e Naser Zymberit ka edhe një dimension shtesë që ka nevojë të shpaloset për efekt vlerësimi dhe konsiderate sa i përket punës së tij dhe vazhdimit të rrugëtimit artistik të cilin e pasojnë dy djemtë e tij. Ne këtë kontekst, Naserin e kam parë në nivel adrenaline të lartë skenike në shfaqjen UN Inspektor në regji të Fatos Berishës ku luan bashkë me të birin Ernestin, me të cilin shfaqin nuanca perfeksionizmi në skenë, sekuenca që prekin kufijtë e një komunikimi ndër-aktorial të përsosur mbase të ushqyer nga ndër komunikimi babë e bir nga jeta reale. Pothuajse e së njëjtës përmasë por në dimension tjetër është edhe loja në shfaqjen Rekuiem e cila ka të njëjtin emërues të përbashkët por në komunikim me regjisorin e shfaqjes-djalin e tij Ersonin.

Nga njohja e afërt me Naserin, kam kuptuar që ai nuk ka qenë aspak imponues apo shtytës ne ndjekjen me çdo kusht të rrugëtimit te zgjedhur nga ana e tij për bijtë e tij, por vazhdimësia ka ndodhur falë dëshirës dhe vullnetit që kanë treguar pasardhësit e tij, të cilët kanë bërë zgjedhjen e tyre ndaj natyrshëm është ndërtuar ky lloj komunikimi profesional edhe pa folur fare si në skenë po ashtu dhe jashtë saj .

Naseri pa përjashtim, ka ditur të punojë e bashkëpunojë me çdo regjisor apo aktor qofshin edhe bijtë e tij duke treguar gjithmonë përkushtim në punë, rregull dhe respektim maksimal për çdo shfaqje duke filluar nga provat e tavolinës deri në premiere e tutje.  Në rrugëtimin e tij profesional si aktor ai është parë në nivele të larta performance me shumë aktorë/kolegë por me i veçantë për te mbetet me maestron e skenës së teatrit-të ndjerin Muharrem Sylejmani me të cilin bashkërisht kanë dhuruar shfaqje e bashkëpunime të paharruara.

I preferuari i regjisorëve të rinj

Edhe pse i pensionuar Naser Zymberi mbetet i preferuari i regjisorëve të kohës të cilët pa përjashtim e duan si pjesë e ekipit të tyre. Kujtoj që arsyet janë të shumta por me e rëndësishmja është se ai vazhdon të punojë me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim siç ka punuar gjithmonë. Faktori moshë për të vazhdon të jetë i parëndësishëm dhe i papërfillshëm.

Regjisori Gëzim Bucolli dëfton një episod interesant se si arriti ta përfshijë në shfaqjen e tij të fundit RELIEV, shfaqje eksperimentale e cila u realizua muaj më parë.

Pas premierës së shfaqjes “Parfumeria”të Haqif Mulliqit, e vërejta që Naseri kishte lodhje fizike i dalë nga një virozë gripale dhe për shkak edhe të moshës kisha dyshime që do pranonte të i bashkohej shfaqjes që po e veja në skenë, edhe pse e nuk kisha alternativë tjetër nëse ai do refuzonte për shkaqet e mësipërme. Si gjithmonë, edhe kësaj radhe nuk më zhgënjeu dhe pranoi përkundër parametrave të disfavorshëm. Ai erdhi falë miqësisë e respektit për teatrin por erdhi me një elan të madh pune dhe vazhdoi të ishte edhe motivues e inspirues: si në analizë teksti, analize të karakterit/rolit, ndihmues në rolet e kolegëve dhe në realizimin sa më të përsosur skenik. Bucolli dëfton se kishte kërkesa ekstreme ndaj tij për ta ripërtërire dhe transformuar redikalisht rolin , kërkesa te cilat u realizuan 100% sipas tij por edhe tejkaluan pritshmëritë.

Për fund Bucolli u shpreh që: mënyrën se si e ndërtoi dhe e stolisi rolin e tij “nuk do ta ndërroja asnjë element të tij po ta japim shfaqjen edhe 100 herë”.

Rrugëtimi artistik me potencial pasurimi të mëtejmë

Naser Zymberi mund të cilësohet pa mëdyshje si besniku i skenës që vazhdon të qëndrojë i palëkundur dhe lojal deri në skajshmëri në realizimin e misionit të tij në shërbim të skenës dhe teatrit. Objektivi dhe misioni i tij mbeten ato që i kishte që nga rinia e hershme kur erdhi në teatër sepse si duket ai erdhi për të qëndruar deri në fund, gjë që koha dhe krijimtaria e tij i kanë dhënë vulën e vërtetësisë si një nga artdashësit më të denjë.

Krijimtaria e tij vazhdon…  /2LONLINE/