/2L ONLINE/ – Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri-Luta, nuk i kanë bërë përshtypje kritikat e PDK-së së Gjilanit, përkatësisht të anëtarit të kryesisë së PDK-së, Riad Rashitit, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal, i cili me ironi sot kishte dhënë idenë për ndërtimin e një aeroporti në Llovcë të Gjilanit, (vendlindje e Lutës), për t’i bërë më lehtë vizitat e tija turistike jashtë Kosovës, me paratë e qytetarëve, nga të cilat vizita nuk po ka asnjë të mirë Gjilanit.
Kreu i Komunës thotë se nuk e ka as komoditetin, e as kohën, për me u marrë me gjëra të tilla, ndërsa e vlerëson PDK-në akoma të pa konsoliduar që nga humbja, andaj edhe kritikat e akuzat që vijnë nga ky subjekt, akoma i merr si individuale e jo nga subjekti. Megjithatë ai pret që tani pasi dega ka zgjedh Zenun Pajazitin, kryetar, ata të konsolidohen.
Haziri ka thënë se kritikat që vijnë në adresë të tij, si kjo e sotme, më tepër janë në suaza të përfaqësimit politik individual, janë deklarata individuale të ndonjë këshilltari komunal, që ndonëse është ambicioz , me autoritetin dhe namin që ka, nuk mund ta kaloj as Llabjanin.
Ai tha se dikush po përpiqet që duke kaluar nëpër ura të mëdha të bëhet i njohur, por të tillëve u ka sugjeruar ta mësojnë notin! Ndërsa, i pyetur për një çështje tjetër, që i përket nivelit qendror, edhe Haziri përdori ironinë, duke thënë se ndoshta do të ishte mirë për gjëra të mëdha të pyetet pikërisht djali nga Malisheva (duke aluduar në Riad Rashitin), mos po është më kompetent me u marrë me gjëra të tilla të mëdha.
Përndryshe lidhur me deklaratën e Riad Rashitit të PDK-së, me të cilën lidhet kjo përgjigje e Hazirit, shih shkrimin: PDK me ironi: Lutës t’ia ndreqim një aeroport në Llovcë, po rri veç n’hava!. /2L ONLINE/