Sot në Sadovinë te Jerlive, është bërë zyrtarisht inaugurimi i bibliotekës së shkollës së fshatit, si dhe u hap paralelja parashkollore, në kuadër të një projekti të përbashkët mes Fondacionit Kosovë-Luksemburg dhe Komunës së Vitisë.
Fisnik Beqiri nga fondacioni Kosovë Luksemburg , ka thënë se ky është ky investim që po inaugurohet sot, është një aktivitet i vogël por me rëndësi të madhe për nxënësit, personelin, shkollën dhe prindërit.
“Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me aktivitete të tilla në Sadovinë bashkërisht me komunën e Vitisë, si dhe me projekte që kanë të bëjnë me gjenerimin e të ardhurave. Deri më tani kemi pasur një bashkëpunim të mirë për vite të tëra me kryetarin e komunës, i cili na ka mbështetur që të realizojmë projektet bashkërisht”, ka thënë Beqiri.
Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, tha se ky projekt me furnizim me mjete konkretizuese, sikur edhe shumë projekte të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë në arsim, do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve për nxënësit e Sadovinës.
“Bashkë financimi për realizim të projekteve me Fondacionin Kosovë-Luksemburg, do të vazhdoj edhe më tej në të ardhmen, sikur që po bashkëpunojmë në digjitalizimin e shkollave të komunës së Vitisë, që jemi edhe komuna e parë në Kosovë që kemi filluar ta realizojmë këtë projekt”, ka thënë Haliti.
Në këtë inaugurim, ishte e pranishme edhe drejtoresha për arsim, Fatbardha Emini, e cila ka falënderuar Fondacionin Kosovë-Luksemburg për mbështetjen që po jep në fushën e arsimit.