Na lejoni të punojmë!

Na lejoni të punojmë!

Pas 21 vitesh liri ja ku erdhëm…!

Shkruan: Lulzim Kqiku      –       2LONLINE.com    

Edhe pse dola nga Gjimnazi si nxënës shembullor dhe u regjistrova në Fakultetin Elektroteknik, vitet e okupimit ma ndalën shkollimin. Filluan vitet e skamjes!

Në vitet e 90-ta nuk kishte punë që nuk kisha bërë, punë të lodhshme e të mundimshme prej të cilave luftoja për kafshatën e bukës, punoja me dru, ngarkim shkarkime, diler i naftës, devizave, cigareve, etj.

Thjeshtë pothuajse nuk kishte punë fizike dhe të ndershme që nuk kisha provuar gjatë atyre 8 viteve 1991-1999. Përveq punës së vështirë dhe tepër të lirë që bënin, kishim edhe frikën nga okupatori i cili shpesh edhe të grabiste ato pak para që kishe fituar.

Shumë herë devizat që shkëmbenim në mëngjes, në mbrëmje i mbyllje me minus, shkaku i inflacionit të madh të atyre viteve. Shumë herë edhe ti nxinte policia e shumë kush edhe përjetonte dhunë fizike.
Nejse…!

Kaloj ajo fazë dhe erdhi lufta. Ditën që filluan bombardimet mua më gjetën duke punuar në depo ndërtimore. Ndaluam punën, gruan shtatzënë, lufta zhvillohej…

Pas 78 ditësh erdhi çlirimi i vendit dhe fokusi im ishte punësimi. U punësova në KFOR, pas një viti në UNMIK.

Mbarova studimet për Ekonomi në AAB me notë mesatare 9.82.

Në vitin 2009 me reduktimin e stafit të UNMIKut, mua më duhej të gjej një alternativë punësimi.

Fillova me një pikë Fornetti, fillimisht te Agmia Center, pastaj edhe te Viva. Prej asaj kohe udhëheq një biznes me 7 të punësuar. Një pikë shitëse te Viva Fresh dhe punëtorinë artizanale të flijave në shtëpi.

Edhe pas shume kërkesave për shfrytëzimin e një hapësire publike që të zhvillohesha si biznes, vitet 2018-2019, nuk arrita që të merrja një përgjigje, qoftë pozitive apo negative nga Komuna e Gjilanit. Nuk kërkoja asgjë më shumë se sa një hapësirë të vogël prej 10m2 dhe ofroja punësimin e 4-6 punëtoreve të rinj.

Prapë nejse…!

Me 1 mars 2020 gjeta një hapësirë të lirë afariste me qera dhe arritëm marrëveshje. Derisa po përgatitesha që me 20 mars (ditëlindjen time) të bëja hapjen e saj dhe punësimin e 6 punëtorëve të rinj, ndodhi e papritura, PANDEMIA.!

Fatmirësisht, qiradhënësi B.A. u tregua i kuptueshëm skajshmërish ndaj situatës së krijuar.

Kaluan tre muaj të plotë që isha me humbje në biznes, një muaj punëtoret morën nga një rrogë minimale nga shteti, e dyta u tretë diku!

Edhe sot jo që kam larguar punëtorë,por e kundërta kam marr punëtorë të rinj, plus 5.
Qiraja te Sheshi është e shtrenjtë dhe dorën në zemër qiramarrësi nuk më ka asnjë faj mua.

Veç punës që kisha deri tash po hyja në një terren të ri, gastronomi!

Me të gjitha po e shtyja disi deri sa mbrëmë, e hënë ora 21”00, na detyruan ta mbyllim lokalin pa asnjë paralajmërim apo shpjegim.

Edhe tash asgjë nuk po kërkoj, o hiq asnjë ndihmë nuk po e dua nga ju…, Vetëm na lejoni të punojmë!

Kurrë nuk ja kemi shtri dorën unë dhe shumë afarist të ndershëm shtetit, kurrë as tash mos na ndihmoni asgjë vetëm se, na lejoni të punojmë! Sepse, qeratë dhe rrogat ju nuk na hiqni. Kreditë po na ecin!

Shikojeni pak rajonin, merrni mostra, mblidhni ekspertët dhe merrni vendime e mos veproni në panik.

I tërë rajoni kreditë i kanë pezullua deri në fundin e vitit, përveç shumë ndihmave tjera bizneseve. Konsultoni ata pak ekspertë (tamam ekspert e jo ata që janë aty veç për rroga),merrni veprime të duhura.

Nesër do të protestojmë vetëm me këtë kërkesë… na lejoni të punojmë!

Kjo situatë tejkalohet vetëm me masa strikte dhe të domosdoshme, ne nuk kemi kah ja mbajmë prej virusit, as Stankoveci nuk bën punë! Thjeshtë duhet të bashkëjetojmë!

Maska, maska, maska dhe distancë, asgjë më shumë!

Qysh në mars jam deklarua personalisht se Kosova rrezikohet thellësisht sivjet nëse nuk vjen diaspora, nëse nuk mbahen dasmat etj. Deshëm apo jo me pranua, Dasmat janë industri në Kosovë (pse a mos po prodhojmë traktorë a?!).

Mos u tutni tash, sepse në dimër do ta hajmë njëri tjetrin nga tuta!

Nëse tani në pikën e verës nuk arrijmë të mbulojmë shpenzimet dhe të krijojmë sado pak rezerva elementare, në dimër do të bëhet shumë vonë.

Veproni tani që të jemi të qetë në vjeshtë e dimër. Përndryshe trazirat sociale, krimi do të bëhen të paevitueshme.

Rishikojeni buxhetin dhe ndalni investimet kapitale, sepse nuk do ketë kush ti gëzoj ato asfalte, parqe, sheshe, etj.

Mos e pritni dikë të lyhet me benzinë para Qeverisë, mendojeni edhe këtë!

Nuk është paranojë, e as reflektim negativ, është realitet që po e përjetojmë! /2LONLINE.com/

P.S. Opinioni është vetëm shqetësim personal dhe tërësisht apolitik. E di se nuk jam i vetmi, e di se ka brenga edhe më të mëdha se sa të miat ,por unë këto shqetësime kam! Jetoj vetëm nga puna e jo nga serviliteti. Në jetën time jam munduar të flas vetëm të vërtetën, pa e paragjykuar askënd!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE