/2L ONLINE/ – Gjatë hulumtimeve për evidentim të vlerave të trashëgimisë kulturore në Hogosht, takuam hoxhën e fshatit, Xhemush Biçku, i cili me dashuri të madhe na shpjegoi dhe tregoi për muzeun etnografik të themeluar nga vetë ai. Xhemush Biçku na shpjegon se para dhjetë viteve kam filluar të grumbullojë eksponate, përkatësisht, vlera etnografike të fshatit Hogosht dhe të trevës për rreth.
Në fillim i kisha vendosur në shtëpinë time, por më vonë, pasi bëra një kërkesë komunës që ta gjej një vend të përshtatshëm për muze si dhe të caktojnë ndonjë punëtor profesionist që t’i radhisë, ruaj e grumbullojë edhe më tej trashëgiminë tonë, lejuan vetëm objektin komunës, që tani veç janë të grumbulluara, pra janë të pa sistemuara e të pa radhitura, ngase hapësira është e vogël si dhe nuk ka kush të përkujdeset për to. Kam bërë kërkesa të vazhdueshme për hapësirë më të madhe dhe të një punëtori, por deri më tani nuk është bërë ndonjë zgjidhje. Mendoj se është mëkat, që institucionet tona kulturore nuk po kujdesen sa duhet, për të ruajtur vlerat tona të trashëgimisë që janë një dëshmi e fuqishme e ekzistencës, e zhvillimit të kulturës, ekonomisë etj. të popullit tonë në këto troje, që nga lashtësi, thotë Xhemush Biçku.
Ai kishte botuar edhe 7 vepra (libra), nga fusha të ndryshme, por rëndësi i kishte dhënë fushës së trashëgimisë, të cilat i kishte përgatitur e shtypur me forcat e veta . Njërën prej tyre “Hogoshti nëpër kohë”, edhe na e dhuroi për bibliotekën e QRTK-së.
Ai apelon që, institucionet kulturore të ndihmojnë në hulumtimin e trashëgimisë kulturore, në gjetjen e një lokali të përshtatshëm për muzeun etnografik të Hogoshtit, caktimin një punëtori për mirëmbajtjen e përkujdesjen e gjithë atyre eksponateve që i kishte grumbulluar, sepse muzeu, nuk është i imi, ai është në rend të parë i Hogoshtit i komunës së Dardanës e i gjithë Kosovës, thotë ndër të tjera Xhemush Biçku.
Siç pamë, vërtet eksponatet ishin grumbull, pa hapësirë të mjaftueshme dhe pa përkujdesje. Ishin të vendosur në tokë dhe në disa tavolina dhe të pluhurosura.
Eksponatet ishin nga lloje më të ndryshme të gjetjeve etnografike si dhe disa gjetjeve të pakta arkeologjike si: vegla të punës, vegla bujqësore, vegla për endje, vegsha të ndryshëm, veshje burrash e grash, etj. Siç na tregon Xhemushi, një numër të caktuar të tyre i ka të trashëguara nga të parët e familjes së tij e disa i ka grumbulluar nga shokë, miq e dashamirë.
Në mesin e shumë eksponateve, vlen të përmenden: një guri në formë të rrumbullakët i cili është i dëmtuar, kryq prej guri, gurë i vjetër mbivarrezor, mokra, peshore (kandar ) i vjetër, fener, arkë nusëri, mangall prej dheu, kazan bakri, furkë (gaforkë) për konop, llambë karrabiti i xehetarëve, pjesë të vekut, zdrukth druri, parmenda, sharrë dore për shkurtimin trupave, disa lloje të qypave, mulli kafeje i punuar nga druri, qilim, jan, hastër, libër fetar islam etj. etj.
1. Guri në formë të rrumbullakët i cili është i dëmtuar në një pjesë, është gjetur në vendin e Kalasë së Koprnicës nga Isa kastrati aty rreth viteve 1992-93. Diametri i këtij guri është 49 cm. Perimetri 1.50 m., ndërsa trashësia12x10 cm. (fig.nr.1)
2. Kryq prej guri. Edhe këtë eksponat e ka gjetur Isa kastrati, te vendi i quajtur Makushovit. Thuhet se është vendbanim i vjetër, i cili gjendet përafërsisht 3-4 kilometra në veri të Hogoshtit.
Përpos që ka formën e kryqit, po ashtu në mes ka të gravuar kryqin, ndërsa në anën e djathë ka të gravuar edhe dy apo tri shkronja. Është shumë i ngjashëm me kryqin që e ruan Naim Kastrati , vetëm se ky ka dimensione më të mëdha. Lartësia: 71 cem, gjerësia 55 cm., ndërsa kryqi i gravuar në mes ka dimensione: 33 x 31 cm. Për vjetërinë e tij, mendimin duhet ta japin ekspertët nga fusha e trashëgimisë kulturore. /Ismet TAFILI- zyrtar i QRTK-së, Gjilan/