Mustafa shpreh vendosmërinë për luftën ndaj ekstremizmit
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë qëndrimit të tij në Munih të Gjermanisë, ka takuar edhe ndihmës sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Euro-Azi, Victoria Nuland.
Mustafa, sipas një komunikate për media, thuhet t’i ketë treguar Nuland për vendosmërinë që ka Kosova për ta luftuar ekstremizmin.
“Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e Kosovës për të qenë partner i plotë i SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të të gjitha formave”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.
Ndërsa në anën tjetër ai, thuhet të ketë marrë vlerësime nga ana e Nuland, veçmas me procedimin e ligjit kundër pjesëmarrjes së kosovarëve në luftëra të huaja.
Në këtë takim sipas komunikatës, është biseduar edhe për vizitën zyrtare që kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë në SHBA ku do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë.
Thuhet se gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa do të angazhohet edhe për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimet ekonomike të Kosovës me SHBA-të.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po ashtu citohet ta ketë shprehur mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme që SHBA-të po japin për shtetin e Kosovës, në të gjitha fushat.
