Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh deputet i Kuvendit, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se ka avancime rreth idesë së tij për një koalicion me LDK-në. Në një intervistë për “Epokën e re”, Mustafa ka thënë se brenda LDK-së ka interesim serioz për një koalicion me PDK-në.
“Jemi duke avancuar për ditë me këtë ide për koalicion dhe në takime me zyrtarë dhe intelektualë të LDK-së shohim interesim serioz”, është shprehur Mustafa. Në këtë kontekst, Mustafa ka bërë me dije se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit në mënyrë që të funksionalizohet koalicioni PDK-LDK. “Tani pres që në ditët në vijim të funksionalizohet koalicioni PDK-LDK, i cili do ta përfundojë mandatin me sukses, pasi kemi mundësi dhe do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se koalicioni PDK-LDK do t’i shtynte përpara proceset të cilat janë në interes të zhvillimit të Kosovës. “Jam i sigurt se koalicioni PDK-LDK ka kapacitete për ta drejtuar vendin atje ku synojmë të gjithë”, ka thënë Mustafa.
Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës ka thënë se në këtë fazë vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje. “Personalisht nuk do të doja të shkonim në zgjedhje. Edhe unë ndaj mendimin ashtu si opozita, ngase asgjë nuk do të ndryshonte, por mund të them se PDK-ja do të dilte përsëri e para dhe më e fuqishme nëse do të mbaheshin zgjedhjet”, ka theksuar Mustafa.
Ndërkaq duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të liderëve të koalicionit LDK-AAK-Nisma, se Kosova do të ketë qeveri të gjerë pa PDK-në, Mustafa ka thënë se ata e dinë se partia e Hashim Thaçit do ta udhëheqë Kosovën. “Unë i kam vlerësuar si deklarata të çastit, pak me hidhërim, pasi ata e dinë më së miri se PDK-ja do të udhëheqë në mandatin e ardhshëm”, ka deklaruar Mustafa.
intervista:
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=4&LID=2&ACatID=3&AID=50106&Ctype=1