Kryetari i Lidhjes demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ka bërë të ditur se ka vazhduar takimet me strukturat e partisë në Prishtinë. Sipas tij, në këto takime u konstatua se në pjesë të ndryshme të Prishtinës, por edhe të degëve të LDK-së janë arritur rezultate shumë të mira, ndërsa në disa mjedise rezultatet kanë ngecur.
“Dje pasdite, takova Degën e Parë dhe Degën e Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë , në përbërje të kryetarëve degëve, anëtarëve të kryesive dhe kryetarëve të nëndegëve . Diskutuam për rezultatet e procesit zgjedhor në Prishtinë dhe Kosovë dhe për organizimin për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
U konstatua se në pjesë të ndryshme të Prishtinës, por edhe të degëve të LDK-së janë arritur rezultate shumë të mira, ndërsa në disa mjedise rezultatet kanë ngecur. Në debat u shpreh gatishmëria e plotë për një punë më të ngjeshur dhe më të përkushtuar me anëtarësinë dhe me qytetarët dhe një përfshirje më e madhe e njerëzve të rinj dhe femrave në proceset e ardhshme politike dhe qeverisëse, si pjesë e reformimeve të brendshme të LDK-së.
Në takim u konstatua se LDK është e vetmja parti politike e cila në këto zgjedhje shënon rritje evidente. Degët shprehën besimin e plotë në fitoren në zgjedhje të ardhshme nacionale dhe në fitoren e Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale, ku LDK ka tani numrin më të madh të këshilltarëve komunal”, thekson Mustafa në “Facebook”.