/2L ONLINE/ – Murat Mustafa, anëtar i Nënkomitetit të Arsimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, ka thënë se parimisht edhe Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt opozitar në Komunë, është pro ngritje së rendit dhe disiplinës së përgjithshme në shkolla, e veçanërisht monitorimi i përformancës së mësimdhënësve që ka ndodhur gjatë muajve të fundit, si kundër që në Vetëvendosje pajtohen që të gjithë ata mësimdhënës “dembelë” të sanksionohen sipas dispozitave ligjore. Mirëpo gjatë monitorimit dhe mbikëqyrjes së përfomancës së mësimdhënësve janë bërë shumë lëshime dhe defekte nga ana e DKA-së.
“Fillimisht dalja në terren nga zyrtarët për t’i vizituar shkollat ka ndodhur krejt në fund të vitit shkollor. Ndëshkimet në ndalesa në paga janë bë pa asnjë vendim paraprak dhënë të ‘dënuarve’. Janë ndëshkuar “rëndë” edhe mësimdhënës që kanë bërë shkelje të lehta. Në shkollat pilot, ku është filluar me kurrikulën e re, nuk kanë pasur mirëkuptim për vështirësitë e saja përcjellëse. Përkundrazi është dashur më shumë mbështetje dhe përkrahje për zbatimin kurrikulës së re”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, nëse vërtetë janë këto mungesa reale, atëherë kush do të jep përgjegjësi për kaq numër të madh mungesash pa arsye, pse atëherë nuk janë përjashtuar ata mësimdhënës me këtë numër të madh mungesash pa arsye dhe pse nuk janë respektuar dispozitat ligjore për përgjegjësitë e mësimdhënësve?!
“Për këto parregullsi të evidentuara dhe raportuar nga zyrtarët e DKA-së, në disa shkolla, rrjedhimisht duhet kërkuar llogari nga drejtuesit më të lartë të këtyre shkollave përkatëse dhe këta drejtorë me automatizëm dhe pa kurrfarë procedure duhet shkarkuar sa më shpjet, sepse nuk e kanë kryer punën sipas rregullave ligjore-shkollore, detyrave, obligimeve dhe përgjegjësive që kanë si drejtues të shkollave”, ka thënë Murat Mustafa, anëtar i Nënkomitetit të Arsimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan. /2L ONLINE/