Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, njëherësh dhe lider i LDK-së, ka theskuar se nuk është pishman që së bashku me subjektin e tij politik kishin kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, derisa ishin në opozitë. Sipas itj, transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur, ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara.
Lexoni postimin e plotë të Mustafës në profilin e tij në facebook:
Është e vërtetë e pamohueshme se unë dhe LDK në mandatin e kaluar, sa ishim në opozitë, kemi kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk jam penduar për këtë, dhe edhe sot do të kundërshtoja, me çdo çmim. Sepse, është e pa arsyeshme që të ngushtohen vendet për deputet të subjekteve shqiptare në Kuvend dhe të zgjerohen edhe më tutje për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë. Konsideroj, po ashtu, se nuk ka çmim i cili e arsyeton dëmtimin e përfaqësimit në organin më të lart legjislativ. Është e qartë se komunitetet joshumicë, tani me vende të garantuara janë pozitivisht të diskriminuara, gati dyfish në krahasim me pjesëmarrjen në popullsi. Prandaj, ndihem i nderuar në qoftë se dikush edhe më tutje vazhdon të më fajësoj se nuk jam pajtuar. Nuk do të pajtohem as sot të bëj pazar me vendet në parlament.
Sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, për mua ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Sepse këto vende nuk mund të afatizohen. Ajo që ndryshohet në Kushtetutë me dy të tretat e dyfishta, nuk mund të ndryshoj në të ardhmen pa të njëjtin parim. Së fundmi kjo do të na shtynte në një cikël të kushtëzimeve, nga i cili vështirë se do të gjenim rrugëdalje.
Ndërkaq, pavarësisht propagandës që po bëhet,unë jam duke punuar shumë me të gjithë për të gjetur zgjidhje për transformimin e FSK-së. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të kaluara i kemi pasur pesë takime me partner të koalicionit dhe faktorët ndërkombëtar dhe me strukturat më të larta të FSK-së për të gjetur zgjidhje.
Ne do të punojmë shumë për avancimin e të drejtave të popullatës joshumicë në vendin tonë, dhe jemi kampione në ofrimin e këtyre të drejtave, por Forcat e Armatosura janë forcë e të gjithë qytetarëve tanë, prandaj pres bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive edhe nga përfaqësuesit e partive joshumicë në Kuvend.