Mustafa: Kosovës i duhet edhe shumë kohë të shërohet nga të këqijat e Serbisë
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thotë se është koha e fundit që Serbia të mendojë se si t’i bëjë mirë vetës, e jo si t’i bëjë keq Kosovës. Këtë po e thotë duke u bazuar në tentimet e Serbisë për të ndalë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Mustafa, në profilin e tij në rrjetin social Facebook, thotë se Kosovës i duhet edhe shumë kohë të shërohet nga të këqijat e Serbisë.
Lexojeni të plotë statusin e tij në Facebook
Kosova po hyn në fazën përfundimtare të anëtarësimit në UNESKO. Është ky një rezultat i një pune të fuqishme të institucioneve të Kosovës, i besimit që Kosova ka arritur ta krijoj në bashkësinë ndërkombëtare dhe i përkrahjes së fuqishme nga miqtë tanë.
Kosova do të respektoj të gjitha standardet botërore të ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, mbi bazë të Kushtetutës dhe të Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit dhe ekspertizës së UNESKO-s. Do të ndërtojmë edhe vlera shkencore e arsimore mbi këto baza.
Ndërkaq, për udhëheqjen e Serbinë është koha e fundit që ata të mendojnë sesi ti bëjë mirë vendit të tyre e jo si ti bëjnë keq Kosovës. Sepse edhe shumë kohë duhet të shërohemi nga pasojat e të këqijave të tyre. IM
