Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin iniciues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021, ku ishin të pranishëm anëtarët e grupeve punuese nga të gjitha ministritë që do të punojnë në hartimin e strategjisë.
Në kuadër të takimit, nga ana e zyrës për planifikim strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u prezantua edhe procesi dhe koncepti i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe shtyllat në të cilat do të bazohet kjo strategji. Gjatë takimit, grupet punuese u informuan për aspektet teknike dhe koordinuese që do të përcillen gjatë procesit të hartimit të strategjisë.
Kryeministri Mustafa tha se ky është takimi për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, një dokument që është tepër i rëndësishëm për ne, por i cili assesi nuk pretendojmë që të jetë vetëm dokument, por të jetë një udhërrëfyes shumë i qartë i prioriteteve të cilat ne do t’i realizojmë gjatë periudhës së ardhshme kohore.
“Ne jemi të përcaktuar që fokusi dhe kryefjala e kësaj Strategjisë të jetë rritja ekonomike, e cila do të mundësoj punësim më të madh, konkurrencë më të madhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, integrim më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ngritje të mirëqenies. Rritja ekonomike në periudhën e ardhshme do të synohet të arrihet nëpërmjet të renditjes së qartë dhe objektive të prioriteteve, apo thënë ndryshe të prioritetit të prioriteteve, përqendrimit në projekte dhe investime strategjike, rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e jashtme, zhbllokimit të potencialeve dhe aseteve materiale e financiare deri tani të pashfrytëzuara, siç janë pasuritë minerare, energjetike, pronat tokësore dhe fondet financiare që momentalisht ndodhen jashtë përdorimit dhe jashtë shfrytëzimit ekonomik”, tha Mustafa..
Sipas tij, së bashku me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim do të adoptojmë edhe kornizën legale e cila do të mundësojë tërheqje të investimeve të huaja dhe do ta bëjë vendin tonë konkurrent në ofertën për tërheqje të këtyre investimeve.
Strategjia Kombëtare për Zhvillim përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse në kontekstin e adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Republikës së Kosovës. Kjo strategji përndryshe do të jetë një dokument planifikues që do të përmbajë një pako të prioriteteve gjatë pesë viteve të ardhshme, do të thotë nga viti 2016 deri në vitin 2021.
“Duhet të them se Kosova ka pasur rritje të zhvillimit përgjatë dekadës së fundit. Edhe pse kemi pas rritje ekonomike, kjo rritje kryesisht është bazuar në investime publike dhe jo në sektorin privat të ekonomisë, prandaj rritja ka osciluar, ashtu siç kanë osciluar investimet publike. Kjo na shtyn që strategjia e ardhshme të jetë e orientuar për një rritje të qëndrueshme, një rritje propulsive, apo diversitet i cili siguron prodhim vendor, konkurrencë dhe përmirësim të bilancit tregtar”, ka thënë Mustafa.
Ai shtoi se strategjia për Zhvillim Kombëtar vjen si rezultat i të kuptuarit se sfidat zhvillimore të Kosovës më së miri mund të adresohen duke zhvilluar një kornizë të prioriteteve dhe poashtu duke përkufizuar afatet dhe mekanizmat e jetësimit të këtyre prioriteteve.
Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës sime ka ndërmarrë disa studime për identifikimin e pengesave dhe faktorëve më kritik për rritje ekonomike. Pas këtyre studimeve, në konsultim me një spektër të gjerë të institucioneve dhe organizatave të brendshme dhe të jashtme, janë zhvilluar një varg analiza të politikave që janë përmbledhur në dokumente analitike. Analizat, në përpilimin e të cilave ka kontribuar edhe Bashkimi Evropian, do të shërbejnë për të nxitur diskutime në grupet punuese dhe me akterët e jashtëm që do të ndihmojnë në definimin final të prioriteteve në kuadër të strategjisë.
“Duhet ta kemi parasysh se procesi i hartimit të Strategjisë nuk duhet të shihet si një dokument statik, i pandryshueshëm, i palëvizshëm, por si një platformë dinamike e të konsultuarit dhe dakorduarit me të gjithë akterët kryesor, si Qeveria në tërësi, Kuvendi, shoqëria civile dhe sektori privat, sektori bankar dhe partnerët e brendshëm dhe të jashtëm zhvillimor. Unë mund t’iu them sot se së bashku me ekipin tim personalisht do të angazhohem dhe do të përkushtohemi, së pari në mbarëvajtjen e procesit të hartimit dhe më pastaj edhe në implementimin e të gjitha objektivave tona të cilat do t’i përcaktoj Strategjia Kombëtare për Zhvillim”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ai kërkoi bashkëpunim dhe angazhim të fuqishëm nga të gjithë në këtë strategji.