Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook, sot ka uruar të gjitha gratë për Festën e Gruas – 8 marsin. Ai i ka cilësuar femrat si të guximshme, të afta dhe vetëflijuese.
Postimi i plotë i Mustafës, me rastin e 8 marsit – Ditës së Gruas:
Historia e Ditës së Gruas nuk njeh vetëm kërkesat e grave për të drejtat e tyre; të votës, qeverisjes, punës, arsimimit, për ndalimin e diskriminimit por edhe për kundërshtimin e tyre ndaj dhunës, luftës, urisë…
Këso ishin edhe gratë kosovare të fundshekullit të njëzetë. U gjetën në radhët e para të protestave kundër dhunës e terrorit. U përplasën me makinerinë ushtarake e policore për të ruajtur dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur familjen dhe për ta fituar lirinë e vendit të tyre. Ishin luftëtare, heroina, dëshmore të kombit.
Të tilla janë edhe sot. Në institucionet më të larta të vendit, bartëse të arsimit e edukimit, mjeke e afariste, police e pjesëtare të FSK-së, kultivuese të familjes e edukatore të fëmijëve. Meritojnë edhe më shumë. Kujdesin më të madh të shoqërisë.
Shoqëritë e emancipuara cilësohen me pozitën sociale të gruas, me përfshirje të madhe të grave në të gjitha aktivitetet ekonomike e sociale. Vlerat e një shoqërie nuk maten me numra të veçuar, ato pasqyrohen përmes harmonisë. Do të punojmë së bashku të ndërtojmë vlerat tona.
Zonja të nderuara, Ju uroj 8 Marsin!