Mustafa e quan qeverisjen e Gjilanit monarki e kryetarin Haziri një monark i veprimeve të jashtëligjshme

Mustafa e quan qeverisjen e Gjilanit monarki e kryetarin Haziri një monark i veprimeve të jashtëligjshme

Qemajl Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, e ka quajtur qeverisjen në Gjilan si një monarki e vogël, ndërsa kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin një monark që e ka vendosur vetën e tij në krye të kësaj monarkie, e që po bënë çfarë po do, në kundërshtim edhe me ligjet në fuqi, transmeton 2LONLINE.com.

Mustafa, së bashku edhe me Riza Abdylin, shefin e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, kanë mbajtur një konferencë me gazetarë ku temë ka qenë seanca e djeshme dhe vazhdimi i sotshëm i saj, që ishte braktisur, përkatësisht bojkotuar nga PDK-ja, me arsyetimin e shkeljeve të shumta të procedurave dhe ligjeve duke u nxjerrë madje edhe vendime të jashtëligjshme.

“Ky kryetar i komunës dhe menaxhmenti i tij po sillen si të jenë në njëfarë monarkie të vogël e ai monarku, dhe po i grah rrafsh siç po do, sepse e ka siguruar një shumicë të thjeshtë të votave në kuvend dhe po vepron siç ka vepruar sot”, ka thënë Mustafa.

Njëra ndër ato pika që ka bërë që PDK-ja, ta braktisë seancës e djeshme dhe ta bojkotojë vazhdimin e sotshëm të saj ka qenë edhe propozim vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, për nevoja të Qendrës socio-edukative ”Don Bosko”, pikë kjo që ka kaluar në seancën e sotme ani se u reduktuar kohëzgjatje në afat prej 15 vitesh.

E, kreu i PDK-së së Gjilanit, Qemajl Mustafa tha se ky vendim që ka ndodhur sot është joligjor për shkak se nuk mund të jepet toka publike, nuk mund të jepen resurset publike për shfrytëzim, qoftë edhe në afat të shkurtë, pa e parë mirë e qartë, Kuvendi, interesin publik dhe ky interes nuk është parë. Në rastin e “Don Bosko-s”, kuvendi, anëtarët e saj, komitetet, drejtoria e arsimit, nuk e kanë të qartë interesin publik të Komunës së Gjilanit prej asaj shkolle.

Mustafa ka rikujtuar vitin 2012, se ishte pikërisht ai në krye të Gjilanit që e ka udhëhequr atë proces përderisa ia ka krijuar kushtet dhe me vendim iu kishte dhënë “Don Bosko-s”, ajo tokë mbi marrëveshje ne arritur, por siç thotë Mustafa, aty shumë qartë është thënë që interesi publik, standardet e edukimit duhet të jenë të larta dhe duhet të jetë bashkëpunimi i përhershëm me komunë,  i shkollës “Don Bosko”,  e regjistruar nga MASHT-i si partnerë privat, duhet të jetë komunikimi i përhershëm në mes të Drejtorisë Komunale dhe shkollës e cila duhet të veprojë nën ombrellën e ingerencave të Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.

“Ne nuk jemi kundër shkollës “Don Bosko”, sepse ne e kemi ndihmuar funksionalizimin e asaj shkolle pas shumë punëve të rregulluara. Ne e kemi pasur vullnetin me prue atë shkollë dhe e kemi vullnetin ajo me vazhdua dhe me qenë shkollë e mirë e Gjilanit që do t’i shërbej Anamoravës, Luginës e Kumanovës, mirëpo nuk jemi që gjërat të bëhen symbyllazi siç është duke i bërë sot kryetari i komunës së Gjilanit dhe krejt menaxhnmenti i komunës, sepse atëherë jemi në mjegull dhe nuk do të dihet kur do të bimë në hendek dhe ta godasim murin”, u shpreh tutje Mustafa.

Ai shtoi se si opozitë do të vazhdojnë që këtë dhe vendime të tilla me i kundërshtua në instancën e parë ligjore që është MAPL-ja dhe pas kësaj pse jo edhe në gjykatë, sepse kjo është plotësisht joligjore.

Nga ana e tij, shefi i Grupit të anëtarëve të Kuvendit nga radhët e PDK-së, Riza Abdyli ka thënë se kjo qeverisje komunale po vazhdon të punojë pa asnjë plan, pa asnjë kriter dhe për çdo ditë bënë shkelje ligjore, në secilën pikë që na vije neve në kuvend, transmeton 2LONLINE.com.

Ai ka rikujtuar se në marrëveshjen e vitit 2012 thuhet qartë që Qendra “Don Bosko” është njëri nga aktivitetet edukativo-arsimore të komunës nën ombrellën e drejtoratit të saj të arsimit dhe me të cilin duhet të bashkëpunojë përhershëm. Në po të njëjtën marrëveshje thuhet që Qendra është e obliguar që të performojë bazuar në strategjinë e arsimit të Komunës dhe të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se shkolla “Don Bosko” është e obliguar qe secilin fillimvit ta informojë dhe secilin fundvit t’i raportojë drejtoratit të arsimit në Gjilan, për suksesin dhe për të gjitha zhvillimet në këtë qendër. Sipas nevojës dhe me kërkesë të kuvendit të komunës, i raporton edhe kuvendit të komunës. Pra, drejtorati ka qenë dhe është i obliguar që ta përcjellë përhershëm performancën e QSE “Don Bosko” në Gjilan, sikur edhe secilën shkollë tjetër nën fushëveprimin e tij.

Abdyli tha se PDK në Gjilan kërkon qasje të qartë procedurale dhe parimore për këtë çështje.

“Derisa nuk na bëhet e ditur performanca e qartë e shkollës dhe derisa nuk bindemi në dobinë e dukshme publike të kësaj shkolle për komunën e Gjilanit dhe për rajonin tonë, ne nuk votojmë për zgjatjen e afatit të shfrytëzimit të tokës për këtë shkollë. Nëse merret vendim i njëanshëm në këtë kuvend, atëherë ne si grup i këshilltarëve do ta kontestojmë me argumente këtë vendim në MAPL, sepse si i tillë është jashtë procedurës së rregullt, e shkelë marrëveshjen e vitit 2012 dhe bëhet vendim joligjor. Nëse është nevoja do ta kalojmë këtë kontest edhe në gjykatë. Dilemat e tjera janë: Pse të privilegjohet? Cili është misioni i saj? Cili është ndikimi i saj? Cila është arritja e nxënësve të saj? Cilat janë përfitimet, pasi kjo është një shkollë me pagesë? Dhe të analizohen pasojat e këtij privilegji, se nesër kushdo që hap një shkollë të pavarur, private, me pagesë, do të ketë të drejtë të përfitojë tokë falas nga komuna dhe ate për 40 vite siç ka qenme komunë propozimi nga kryetari i komunës, në këtë rast” ka thënë Abdyli.

KOMENTE