Mustafa e përsëritë: Zgjedhjet në 2018-n
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, pasi ato do të mbahen në vitin 2018. Në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile, në të cilin u diskutua për tejkalimin e krizës politike në vend, kryeministri Mustafa, ka bërë thirrje që debati të zhvillohet në Kuvend me argumente. Ai ka shtuar se koalicioni qeverisës së shpejti do ta zgjedhë presidentin sipas Kushtetutës, duke respektuar edhe marrëveshjen e koalicionit.
Mustafa ka thënë se Qeveria vlerëson rolin e shoqërisë civile, të medieve dhe të tjerëve për kontributin e tyre në daljen e vendit nga kriza. Ai para shoqërisë civile ka thënë se sot është me rivalin me të madh të LDK-së, Hashim Thaçin.
“Sot jam para jush me rivalin më të madh të LDK-së, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, sepse dihet se gjithmonë kemi qenë rivalët më të mëdhenj. Jam i bindur se për të dy do të ishte më lehtë sikur njëra palë të ishte në pozitë e tjetra në opozitë, por realiteti është ndryshe. Dje kemi pasur një bisedë te presidentja Atifete Jahjaga. Falënderoj ambasadorin amerikan dhe përfaqësuesin e BE-së për angazhim në dialogun që është mënyra e vetme për t’i paraqitur argumentet tona dhe t’i gjejmë zgjidhjet tona”, ka thënë Mustafa.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=78115&Ctype=1
