Mustafa: Dy vendime të kota e një vendim i dëmshëm i LDK-së së Gjilanit të futura në një thes!

Mustafa: Dy vendime të kota e një vendim i dëmshëm i LDK-së së Gjilanit të futura në një thes!

Ish kryetari i komunës së Gjilanit aktualisht, kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Gjilan, Qemajl Mustafa ka reaguar lidhur me tri vendimet e kuvendit komunal të Gjilanit, që sipas tij, janë të paketuara në stilin “three in one”

“Pa dashni e pa vizion nuk ndreqet shpia e oborri i saj. Hiç se hiç nuk ndreqet qyteti e komuna pa e kultivue dashninë për njerëzit e komunës dhe për gjeneratat e ardhëshme të saj poashtu. Është për keqardhje varfëria politike, profesionale dhe etike e kryetarit dhe e drejtorit të urbanizmit të kësaj komune. Ata nuk i lexojnë projektimet e drejtorisë dhe vendimet e kuvendit nga e kaluara pak më e largët dhe ajo e re (sidomos përgjatë viteve 2008 deri 2013). Nuk duan ti lexojnë sepse ato vendime e projektime bëhen pengesë për përfitimet e tyre të çastit e të rastit. Bëhen pengesë për takatin e tyre të vogël dhe për njetin e keq që e kanë”, ka  thënë Mustafa, transmeton 2LONLINE.com.

Sipas tij, në arkivin e pasur të drejtorisë gjenden vendime e projektime që ishin vizioni i gjyshërve dhe i baballarëve tanë dhe i një strukture që e qeverisi komunën me dinjitet të plotë e të pastër politik, profesional dhe etik përgjatë viteve të theksuara 2008 deri 2013. “Ne që e udhëhoqëm komunēn përgjatë atyre viteve ishim plotësisht të përkushtuar që Gjilanin ta bëjmë komunë të dashur, tërheqëse, funksionale, të mjaftueshme dhe joshëse për të gjithë qytetarët e saj. Edhe për mysafirët e vizitorët poashtu. Ne nuk i morëm vendimet asnjëherë krye n’veti. As vendimet e vogla bile nuk i morëm pa miratimin e opozitës në kuvend. Ne nuk prodhuam as kryetar, as drejtorë e aszyrtarë të pasur përgjatë viteve të qeverisjes. Përkundrazi, u tëholluam financiarisht por këtë e dinim me kohë dhe u betuam që do ta përballonim këtë situatë dhe ia kemi dalur”.

“Punuam me qëndrim vizionar dhe me shumë kujdes për gjeneratat që vijnë, ashtu qysh të parët tanë (anipse nën një sistem monist) punuan me idenë dhe përkushtimin që Gjilanin ta bëjnë për neve dhe për fëmijët tanë. Edhe nga viti 2000 e deri te 2007 por sidomos keto tetë vitet e fundit, LDK me Lutfi Hazirin në krye, po i bjen trup e shkurtë për nevoja të vet kryetarit dhe të klubit të tij të milionerëve të politikës e të funksioneve publike. Bile, dertin nuk e kanë nëse vendimet e tyre miope e bëjnë bastardimin dhe shkatërrimin e së ardhmes së këtij qyteti e të kësaj komune ashtu qysh i ka ndodhë Prishtinës nën udhëheqjen e po kësaj partie që nga viti 2000 e deri te fundi i vitit 2013”, thotë Mustafa.

Kreu i PDK-së së Gjilanit shton tutje se vendimet e pakuptimta të kuvendit të LDK, (sepse asamblea komunale si organ politik i sovranit të komunës, ka shumë vite që është vetëm e LDK, është asamble e kryetarit, është njëngjyrëshe), janë vendime për sfilatë parazgjedhore. Janë zhurmë për asgjë ose vetëm për joshje zgjedhore, qysh din me e bë veç LDK.

Mustafa thotë se plani rregullues “Qendra1” është hartue me shumë kujdes dhe i parasheh të gjitha. Aq më qartë, komuna e Gjilanit gjatë viteve 2011 -2013 ka konkurrua në një konkurs europian të arkitektëve të rinjë (arkitektë europianë deri në moshën 40 vjeçare) për dizajnimin më detal të qendrës së ngushtë të qytetit.

Parakualifikimi ka ndodhë në Vjenë e finalja e kualifikimeve në Paris. Në Paris ishte edhe një përfaqësim i yni me dy ose tre zyrtarë të urbanizmit.

Përfitues të propozimit për qendrën e Gjilanit ishte një studio spanjolle. Këto propozime komuna i ka në drejtorinë e urbanizmit.

Aty ku ishte gjykata (sot administrata) dhe ku është policia e burgu, është hapësirë e destinuar për ndërtesën e ardhshme të administratës se integruar të komunës (kuvendi dhe ekzekutivi me të gjitha departamentet dhe zyrat). Komuna aty i ka ne pronësi rreth 90 ari toke te saj.

“Propozim yni ka qenë që të mos nise ndërtimi i këtij objekti derisa nuk sigurohen mjete të mjaftueshme financiare për ndërtimin e një parkingu nëntokësor së paku dyetazhor që Gjilanit do ti shërbente për automjetet e administratës dhe për rreth 400 vetura të tjera për qytetarët e saj. Gjilani ka aq shumë nevojë për një parking të tillë publik e tokë nuk ka. Një tjetër parking nëntokësor por shumë më i ngushtë është propozue me planin rregullues prapa ndërtesës së muzeut ku ishte KRM “Higjiena”, thotë tutje Mustafa, transmeton 2LONLINE.com.

“Ti kthehemi qendrës. Për hotelin “Kristal” dhe për ndërtimet përreth tij është propozue tipologjia e harmonishme e ndërtimit poashtu. Në sheshin “Rexhep Mala e Nuhi Berisha” ku sot gjendet ndërtesa e ekzekutivit është propozue ndërtesa e qendrës MULTIKULTURORE për nevoja të rinisë e të profesionistëve të kulturës së komunës. Është mendue që në këtë shtëpi shumëkulturore të akomodohet galeria moderne e arteve pamore, ateletë për edukim e për krijim. Hapësira për artet dramatike, artet muzikore, artet pamore, artet letrare … të gjitha të sistemuar me shije nëpër katet e këtij tempulli të kulturës së Anamoravës. Bile, është mendue edhe mundësia e një partneriteti me bizneset dhe me pronën private aty pranë këtij sheshi në parimin PPP”, thotë Mustafa.

Andaj, sipas tij, vendimi në kuvendin e komunës së Gjilanit për me i rrënue objektet e ish gjykatës dhe të policisë dhe me e ndërtue objektin e administratës është veç dyfishim i vendimmarrjes dhe nuk paraqet asgjë të re. Është një sfilatë e pakripë dhe e pakuptimtë çfarë din me e bë veç LDK. Kësaj i thonë “shumë zhurmë për asgjë”.

Mustafa thotë  edhe se vendimi i kontrabanduar dhe ndërhyrja e paligjshme në rritjen e koeficientit të ndërtimit në planin rregullues “Qarku” s’është asgjë tjetër përveç grykësi e investitorëve dhe sidomos e kryetarit të kësaj komune për me e komercializue çdo gjë në dëm të jetës së njeriut. Është pa, me Prishtinën se aty ku ka shumë koncentrim të familjeve e të qytetarëve, s’ka jetë me kualitet. Aty ka veç ngushtica e zagushi në dëm të frymëmarrjes dhe të zhvillimit normal të qytetarëve. Hiç nuk janë fajtorë investitorët për këtë punë. Është politika gllabëruese dhe aspak miqësore e kësaj komune.

Vite më parë, Mustafa thotë të ketë bërë thirrje publike që të mos i votojnë këta njerëz e këtë formacion politik sepse nuk i shkojnë në dobi Gjilanit. Janë plangprishës. Ata që pasurohen nga burime të dyshimta gjatë mandateve të tyre politike nuk i duhen komunës as shtetit tonë. Ata duhet me u hetue gjërë e gjatë e thellë dhe duhet me shkue para gjykatave, shton tutje ai.

“Unë personalisht, bazuar në krejtë atë që tashmë e kemi pa si realizim nga LDK dhe e kemi eksperiencë për këto 21 vite, nuk pres befasi të këndëshme asnjëherë prej tyre. Këta “zgjidhjet” përherë i kanë gjysmake e realizimet të plogështa e të ngathta. Të rinjtë e Gjilanit kishin me thënë këta “t’lodhtë” janë me krejt”, thotë Mustafa i PDK-së.

Ai i ka ftuar të gjithë ata që dijnë, që duan e që munden, ti dalim bashkë përpara të keqes që ka marr  krah në komunën e Gjilanit.

“Thonë me të drejtë “Nuk janë aq fajtorë injorantët e bastardët që e prishin sa janë fajtorë të diturit e fjetur e indiferentë”, ka thënë në fund të reagimit, Qemajl Mustafa, ish kryetar i Gjilanit, aktualisht, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan. /2LONLINE.com/

KOMENTE