Mustafa: Duhet marrëveshje e re mes bllokut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV duhet të bëjnë një marrëveshje të re.
Në intervistën për “Epokën e re”, ai ka thënë se partitë e bllokut mbi marrëveshjen e deritanishme duhet të bëjnë një marrëveshje të re, me të cilën do t’i përcaktonin përgjegjësit e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka zhvlerësuar edhe marrëveshjen tonë, sa i përket përgjegjësive. Praktikisht ne duhet, mbi marrëveshjen e deritanishme, të bëjmë një marrëveshje të re, me të cilën do të përcaktonim përgjegjësitë e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. Në këtë marrëveshje do të përcaktojmë se cili, në rrethana krejtësisht të reja, do të jetë kandidat për kryeministër nga ky koalicion. Neve nuk jemi të lumtur që duhet të bëjmë një marrëveshje të re, sepse ky nuk ka qenë vullnet i yni, por kjo është pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa.
I pyetur nëse do të jetë kandidat për kryeministër, Mustafa ka lënë të kuptohet se ai do të jetë kandidati i bllokut për kryeministër. “Natyrisht se çdo marrëveshje ka për bazë themelore fuqinë e subjekteve politike, përkatësisht numrin e deputetëve, ky është edhe qëndrimi i LDK-së për marrëveshjen e re dhe pozitën e kryeministrit”, është shprehur Mustafa.
Se çfarë pozite do të ketë Ramush Haradinaj me marrëveshjen e re, lideri i LDK-së, ka thënë se gjithçka do të arrihet me një mirëkuptim të plotë.
lexo më tepër:
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=54103&Ctype=1
