Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përmes një postimi bëri të ditur se 30 deputët e LDK janë unik dhe nuk mund të peshkohen. Sipas tij, ata që nuk kanë numra, le të merren në opozitë me peshkim
Piostimi i plotë i Isa Mustafës:
Qeverisja e ardhshme e Kosovës do të jetë me program të qartë dhe me objektiva të realizueshme zhvillimore dhe integruese evropiane. Këto objektiva mund ti realizojë një qeveri, e cila nuk ndërtohet nga kushtëzimet dhe as nga logjika e “peshkimit”. Ata që nuk kanë numra të mjaftueshëm nuk mund ta themelojnë qeverinë, ndërkaq me peshkim do të merren si opozitarë.
Tridhjetë deputetët e LDK-së janë unik për objektivat e tyre. Ata nuk e marrin si ideale, as për LDK-në dhe as për Kosovën qeverisjen LDK, AAK dhe Nisma, por e pranojnë si një alternativë më të mirë dhe të domosdoshme për të ndërprerë qeverisjen Thaçi dhe për të filluar ndryshimet e domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor.
Unë si lider i LDK-së dhe LDK-ja nuk kemi hequr dorë nga lidershipi i qeverisë së ardhshme nga fakti se nuk mund ta bëjmë më së miri këtë punë ose se nuk kemi përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Edhe njërën edhe tjetrën e kemi! Edhe pse nuk e kemi kapërcyer koalicionin PDK, PD, LB, PSHDK…, kemi dalë partia më e fuqishme nga këto zgjedhje për të udhëhequr një bllok të ndërtuar mbi kompromise të nevojshme, që e pamundëson qeverisjen e deritanishme dhe hap mundësi për ndryshime.
Besoj shumë se është në interes të këtij vendi por edhe në interes të PDK-së dhe të partive të koalicionit të saj, që ky vend të çlirohet nga qeverisja e tyre, të lirohet nga kapja e shtetit.
Besoj, po ashtu, se Lëvizja Vetëvendosje do ti jep një kontribut të madh ndryshimeve në shtetndërtimin e Kosovës nëse e bën hapin konkret dhe përkrah koalicionin LDK, AAK dhe Nisma në procesin e ndërtimit të institucioneve që dalin nga këto zgjedhje.
Dialogu, implementimi i marrëveshjeve, politikat e integrimit të pakicave dhe politikat pronësore dhe të privatizimit janë çështje të parimeve, por zhvillimi dhe implementimi i tyre duhet të bëhet mbi baza kushtetuese, të vlerësimeve të përbashkëta dhe interesave më të mira të vendit tonë.