Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe kryeministri Rama kanë vlerësuar rezultatet pozitive që janë arritur deri më tani në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve duke shprehur përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit.
Kryeministrit Isa Mustafa ka thënë se me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama vlerësuan bashkëpunimin tonë vëllazëror, por edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Vlerësuam, po ashtu, se kemi arritur mjaft në implementimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren, pastaj në takimin në Tiranë në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se do të vazhdojnë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojnë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjnë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ka interes t’i zhvillojnë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojnë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës.
Ndërsa, kryeministrit Edi Rama tha se ishte kënaqësi për këtë vizitë 24 orëshe në Prishtinë, e cila sigurisht lidhet me domosdoshmërinë për të nderuar presidentin e ri, nesër në ceremoninë e inaugurimit, ta nisnin me këtë bashkëbisedim miqësor me kryeministrin, dhe të diskutonin mbi agjendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, bazuar në faktin që ka një dakordësi të plotë, sepse këtë na e japin shifrat dhe provat, që ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët, na ka dhënë rezultate shumë të mira.
“Mjafton të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm se sa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët”, ka thënë Rama.
Sipas tij, është me rëndësi që të përgatiten për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do të na çoj së bashku edhe me kryeministrat e rajonit këtë vit në Paris dhe është shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjeve të dy qeverive, është një arsye që të nxisin së bashku një proces më të gjerë rajonal për heqjen e barrierave jotarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve, mallrave, në mënyrë që të rrisin maksimalisht hapësirën e të gjithë sipërmarrjeve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në rajon.