Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Jonuz Musliu, ka raportuar në Parlamentin Evropian për kërkesat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet pakica kombëtare shqiptare në Serbi.
Musliu, në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Komiteti për Asociim BE-Serbi në Parlamentin Evropian, ka dhënë një pasqyrë të situatës me pakicat, shkeljes së të drejtave të tyre, sidomos në Luginë të Preshevës.
Kryetari i KKSH-së ka apeluar te eurodeputetët prezent se Bashkimi Evropian seriozisht duhet të merret me zgjidhjen e problemeve të kësaj pakice.
“Pa u zgjidhë problemet e pakicave Serbia nuk mundet të ecë drejt BE-së”, është shprehur Musliu në një prononcim për portalin informativ Titulli.com.
Ai me këtë rast gjatë fjalës së tij ka folur edhe për vendimin për themelimin e Asociacionit të komuna me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.
“Parlamentit Evropian ia dorëzova edhe vendimin për themelimin e Asociacionit, ndërsa kamë kërkuar që BE të merret seriozisht me zgjidhjen e problemeve të pakicave, sidomos të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, theksoi Musliu.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë në këtë tryezë ka raportuar edhe për problemet që hasin shqiptarët me respektimin e dygjuhësisë në institucione, kulturë, informim si dhe arsim.
Me këtë rast ai ka theksuar mungesën e teksteve mësimore në shkollat fillore të Luginës, duke vënë në pah pengesat e fundit për furnizim të institucioneve arsimore me libra, të cilat për më shumë se dy javë po mbahen në terminalin doganorë, duke mos u lejuar që të vijnë nga Kosova.
Në tryezën e rrumbullakët “Të drejtat e pakicave në Serbi, në kontekstin e integrimit të Serbisë në BE”, përveç kryetarit të KKSH-së Jonuz Musliu, morën pjesë edhe përfaqësues të pakicave tjera që jetojnë në Serbi.
Kjo tryezë u organizua nga Komiteti për Asociim BE-Serbi në Parlamentin Evropian, me iniciativë të eurodeputetit Marian Jean Marinescu