“Me këtë thirrje publike drejtuar të gjitha partive politike në Kuvendin Komunal, bëjmë thirrje të bashkoheni në votimin për bartjet buxhetore. Ky akt është thelbësor për të mos penguar projekte të rëndësishme, subvencione, paga dhe kategori të ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Arbër Musliu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një thirrje publike për opozitën, që është shumicë në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Musliu ka thënë se janë 2.5 milionë euro që duhet të bartën nga Kuvendi Komunal, në mënyrë që të mundësojmë financimin e duhur në kategori të ndryshme ekonomike: Paga: 347,284.00€, Mallra dhe Shërbime: 270,000.00€, Subvencione: 280,000.00€, Shpenzime Kapitale: 1,619,955.00€, transmeton 2LONLINE.com.
“Këto bartje përfshijnë edhe pagat e punonjësve që tashmë janë rikthyer në punë pas proceseve gjyqësore, për të cilët duhet të paguajmë 50% të pagës së tyre. Votimi për këto bartje buxhetore, është një hap i rëndësishëm për të siguruar që projektet e planifikuara të vazhdojnë pa pengesa dhe për të mbështetur zhvillimin në qytetin tonë”, ka thënë Musliu i Vetëvendosjes. /2LONLINE/