/2L ONLINE/ – Murtez Limani nënkryetar i derisotshëm i Lëvizjes Vatra me seli në Gjilan, ka dhënë dorëheqje dhe është larguar nga kjo Lëvizje. Në arsyetimin e tij Limani thotë se pavarësisht përpjekjeve të tija që Lëvizja Vatra të jetë një zëdhënëse e kauzës të drejtë të Luginës së Preshevës, ajo asnjëherë nuk arriti të dalë jashtë ambicieve personale të shumicës së anëtarëve të kryesisë. Si e tille ajo ka humbur karakterin dhe misionin e saj për të cilën është themeluar.
“Së dyti, gjithmonë kam deklaruar se pavarësisht se në cilin organizimi politik të jem, në rast se ky organizimi politik nuk është në gjendje që të mbrojë misionin e saj për të cilën është formuar, do të jem i pari që do të dorhiqem. Andaj Lëvizja Vatra nuk ka kapacitet organizativ dhe as intelektual që të jetë bartëse e proceseve që e rëndojnë Luginën e Preshevës dhe qytetarët e saj të zhvendosur në Republikën e Kosovës. Lëvizja Vatra sot është shndërruar në një mekanizëm, e cila bënë kontrabandë politike në emër të kauzës së Luginasëve”, thotë Limani.
Dhe arsye e tretë e largimit , sipas tij, duke ju referuar vetes, dëshiron që në mënyrë të devotshme të vazhdon angazhimin e tij politik në shërbim të interesave të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve të saj, por jashtë kësaj Lëvizje, e cila të gjithë potencialin organizativ synon ta përkthej në plotësime të interesave individuale dhe klanore te vet shpallur si zëdhënësa e sekretarë organizativ.
Përndryshe, Lëvizja Vatra mori pjesë në zgjedhjet e fundit lokale dhe ka marrë besimi për të qenë pjesë e Kuvendit komunal të Gjilanit, ku përfaqësohet me një anëtar. /2L ONLINE/