Murat Mustafa, ish nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, njëherësh pjesë e ekipit të Lëvizjes që kishte garuar edhe për anëtar Kuvendi, në zgjedhjet e fundit lokale, më nuk është pjesë e Vetëvendosjes.
Ai e ka konfirmuar për Portalin 2LONLINE, duke thënë se, pas tetë viteve të qenit pjesë e saj, po largohet përfundimisht nga kjo Lëvizje, i pakënaqur me zhvillimet e muajve të fundit e mbi të gjitha me mos reflektim ndaj situatës që mbizotëron tani e sa muaj, në këtë subjekt politik.
Mustafa ka bërë me dije se ai fillimisht kishte dhënë dorëheqja nga pozita e nënkryetarit të dytë të Lëvizjes, siç thotë ai, si shprehje e vullnetit të mirë për të reflektuar. Kishte pritur edhe nga të tjerët se do të reflektojnë dhe do të fillojnë reformat aq të nevojshme në këtë Qendër, por se kjo nuk ka ndodhur deri më sot.
Ai thotë se dorëheqjen nga pozita e nënkryetarit e kishte bërë qysh në muajin tetor të vitit të kaluar, por nuk e kishte bërë publike jashtë strukturave partiake, me të vetmin qëllim që të mos dëmtohej Lëvizja, sepse kishte besuar se do të ketë reflektime edhe nga bashkëpartiakët e tij,
Për më tepër, Mustafa në arsyen e dorëheqjes kishte kërkuar që një hap të tillë të ndërmarrin komplet kryesia dhe të nisin reformat aq të domosdoshme, por se nuk është lëvizur në këtë drejtim, sepse dikujt si duket i kishte konvenuar një situatë e tillë. Mungesa e reformave, sipas Mustafës, e ka bërë të pamundur qëndrimin e mëtutjeshëm të tij në Lëvizje, përkundër dëshirës së tij, për të qëndruar dhe punuar në reforma, andaj akti i largimit nga kjo Lëvizje ishte i pashmangshëm.
Ai tha se largimi i tij nuk ka të bëjë me grupimet e krijuara në Lëvizje sepse nuk do t’i takojë asnjë grupimi, dhe se largimi i tij ka të bëjë me zhgënjimin dhe pamundësinë e tij për të ndikuar që në Vetëvendosjes të kemi reforma të thella.
Bile, për më tepër ai në letrën e dorëheqjes dërguar kryetares Besa Baftiu, i kishte kritikuar grupimet dhe duke ia bërë me dije se në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje, në Gjilan, është një klimë e rëndë dhe e dominuar nga Klani “shokë e shoqe”, ka rrethe të ngushta që bëjnë politikën dhe nuk lejojnë të ketë ndryshim, ngase ky ndryshim do të sillnin risi dhe ç’kapje të partisë nga këta individë.
Që nga fillimi, Mustafa thotë se ishte përpjekur për ndryshim. Edhe pas dorëheqjes nga pozita e nënkryetarit u përpoq për ndryshime dhe ishte për reforma rrënjësore, por kjo nuk po ndodh andaj ai nga sot pushon aktivitetet dhe largohet përfundimisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai tha se nuk do t’i takojë grupimeve në Lëvizje, as ndonjë subjekti tjetër politik, të pakten per momentin, por do të përcjellë politikën dhe zhvillimet e gjithëmbarshme në komunës, sepse interesi i tij është për të punuar për të mirën e gjilanasve, por edhe qytetarëve të Kosovës, do të jetë i përhershëm dhe pa dallime. Kontributi i tij do të jetë profesional, aty ku i krijohet mundësia.