/2L ONLINE/ – Krijuesit ne Luginë nuk mbështeten as si individë, as si shoqatë nga institucionet lokale. Deri më tani asnjë krijues nuk ka mund ta hedh firmën e mbështetjes materiale nga ana e drejtorive për kulturë. Arsyetimet, mungesë e buxhetit! Nga kjo nënkuptohet, qoftë si krijues apo edhe si shoqatë duhet të organizohemi me forca tona… Kështu ka thënë. ndër të tjerash, në një intervistë të shkurtër për Portalin 2L ONLINE, Arsim Halili – nënkryetar i shoqatës së shkrimtarëve ”Feniks“- Preshevë.
/2L ONLINE/ – Cili është niveli i kulturës letrare në Luginë?
HALILI: Duke qenë i vetëdijshëm se çështja e kulturës kap një dimension pak më të gjerë se sa mund të përgjigjem në këtë bashkëbisedim, megjithatë po mundohem të jem me eksplicit në mendimin tim. Kultura në rajonin e Luginës, ndonëse ec me hap të ngadalshëm, ku e ku, edhe me pengesa të natyrës objektive dhe subjektive, megjithatë bëhet përpjekje solide për të mbajtur gjallë shpirtin kulturor edhe në këtë etnikum. Ndonëse edhe thesari kulturor është lëvruar me aq mundësi që ka. Në Luginën e Preshevës një gjë është e qartë, ka njerëz që e duan kulturën dhe si rezultat i saj mblidhen dhe bëjnë të pamundurën për t’i dhënë gjallëri edhe kësaj popullate në këtë frymë shpirtërore e kombëtare, sa ia dalin mbetet të vlerësojnë të tjerët. Mund të themi viteve të fundit janë themeluar shoqata të cilat janë sinonim i shpresës për të bërë diçka të dobishme edhe në këtë hapësirë. Disa prej tyre aktivitetin tyre e kanë shumë të gjatë siç janë: Shoqata për trashëgimi kulturore dhe krijimtarinë Preshevë, pastaj Shoqata e shkrimtarëve “ Feniks “ Preshevë , Shoqëria kulturore artistike “ Jehona “ Tërnoc Bujanoc, Akademia “ Stoa” Bujanoc, Festivali i teatrove në Preshevë , Shoqëria kulturore artistike në Medvegjë. Nga të gjitha këto që përmendëm më lart natyrisht kush më shumë e kush më pak kanë dhënë kontributin e tyre brenda dhe jashtë territorit të Luginës e që një farë mënyre janë edhe zëri identifikues kulturës së kësaj hapësire shqiptare. Duhet theksuar se anëtarët e secilës nga këto shoqata kulturore veprojnë në ngritjen sa më dinjitoz në akëcilën veprimtari kulturore ku marrin pjesë.
/2L ONLINE/ – Sa po mund të krijohet dhe cila është pozita e krijuesit në Luginë?
HALILI: Tani këtu me lejoni të fokusohem në fushën të cilës i përkas. Sikur se edhe në regjionet të tjera edhe te ne krijohet arti letrar, natyrisht në zhanre të ndryshme. Ndonëse dua të them jo gjithë çka që po shkruhet edhe këtu është art i mirëfilltë, shpeshherë edhe të le një shije të keqe artistike, kjo është njëra anë . Ana tjetër pozita e krijuesit, shtrohet pyetja ku fillon dhe mbaron?
Si shoqatë e shkrimtarëve ndonëse e regjistruar si organ jo qeveritar jo fitimprurës edhe në instancat më të larta republikane përjashtim një projekti të mbështetur materialisht vitin e kaluar, asgjë tjetër më shumë, e keqja më e madhe krijuesit ne Luginë nuk mbështeten as si individ, as si shoqatë nga institucionet lokale, deri më tani asnjë krijues nuk ka mund ta hedh firmën e mbështetjes materiale nga ana drejtorive për kulturë. Arsyetimet mungesë e buxhetit! Nga kjo nënkuptohet, qoftë si krijues apo edhe si shoqatë, duhet të organizohemi me forca tona. Dhe duke e ditur se mungesa e tregut për shitjen e librit nga ana e librarive apo rrjetit i shpërndarjes së librit nga shtëpi botuese nuk është funksional në këtë hapësirë, pamundëson edhe më tej mënyrën e distribuimit më efikas të librit. Autori ose duhet t’i shes vet një numër simbolik, ose duhet ti fal, gjë që është bërë edhe rutinë gjithandej. Pra nga gjithë kjo shihet se krijuesi në luginë aspak nuk është në gjendje të mirë. E keqja e kësaj është se shkrimtari shpeshherë është viktimë e banaliteteve aspak korrekte edhe nga ana individëve të caktuar. Po një gjë pozitive ka në këtë mes nuk mungon mbështetja morale nga shoqatat si motra në Kosovë dhe Maqedoni . Duke u nisur nga Ars Klubi “ Beqir Musliu “ Gjilan, Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës Prishtinë, Klubi letrar “ Nositi “ Kamenicë, Klubi letrar “ Dom Mikeli “ Stubëll, “ Shoqata e shkrimtarëve “ Jehona e Karadakut “ Kumanovë Maqedoni. Natyrisht që tendenca ynë nuk mëton të kufizohet, por të zgjerohet më tutje bashkëpunimi me shoqatat si motra qoftë këto të lart cekura apo edhe ndonjë tjetër.
/2L ONLINE/ – Cilat janë nevojat për avancim të artit letrar në luginë?
HALILI: Nevoja ka shumë, por do të them këto që janë imediate:
Mbështetja në mënyrë institucionale nga organet komunale, ndonjërin nga projektet për botim ose manifestim kulturor që të shihet se edhe këtu ka shkrimtar, natyrisht jam për një përzgjedhje sa më serioze dhe sa më cilësore. Të vazhdoj përkrahja modeste e financimit të revistës “ Qëndresa” edhe në numrat vijues. Pse jo edhe përkrahje morale, sepse ne nuk krijojmë vetëm për vetën tonë, duhet ta kuptojnë të gjithë se zëri ynë është edhe zë i shqiptarëve të këtij etnikumi, natyrisht në fushën të cilës i përkasim.
/2L ONLINE/ – Diç më shumë rreth krijimtarisë suaj letrare?
HALILI: Vazhdoj të shkruaj me një ritëm jo shumë të shpejt , pas nxjerrjes nga botimi të librit të shtatë me vështrime eseistike të titulluar “ Sprova eseistike“, meqë është libri i finalizuar gjatë këtij viti. Dua të shtoj se edhe ky libër ashtu edhe libri paraprak” Portretizime eseistike” panë dritën e botimit falë dy bashkëvendëseve të mi njëri nga ata nuk ka pranuar t’i përmendet emri, por autori e falënderon nga zemra, dhe natyrisht librin e nxjerrë këtë vit të sponsorizuar nga Dr Sami Dalipi me banim në Zvicër. Librat e mi, tre prej tyre janë të botuar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”- Gjilan me editor dhe redaktor Sabit Rrustemin, natyrisht u jam mirënjohës edhe ekipit tjerë si recensenteve: Nexhat Rexha dhe Sinan Sadiku dhe lektores Lumnie Morina. Sigurisht se mua nuk më lejohet të flas më shumë për librin, sepse i mbetet lexuesit ta jap mendimin e tij nëse kam thënë të paktën diçka të mençur. Natyrisht edhe unë si disa krijues përkundër barrierave që ka realizmi i të tilla projekteve krijues, ambiciet për të shkruar nuk më janë shteruar, se sa ia dal mbetet të shihet. Jam në proces të dy dorëshkrimeve prozë dhe poezi, pa mundur të di se kur do të arrij t’i finalizoj njëherë si dorëshkrime e pastaj edhe si finalizim në botime. Për mua e rëndësishme le të jetë që atë që e shkruaj të jetë e pranueshme për lexuesin, natyrisht I kuptoj edhe shijet e kundërta artistike. Ajo që dua të them se tani pas një përvoje krijuese , konsideroj se është një përgjegjësi e madhe publikimi i çdo botimi. Të bërit art letrar, nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një shkarkim emocional individual , të bërit art nuk është vetëm numri I titujve dhe volumit krijues, andaj për vetën time, do të kem kujdes se çfarë do të ofroj për lexuesin. Dua të them se njohurit e mia që një farë forme kanë qenë sipërfaqësore për dijen e pa fund letrare t’i plotësoj deri diku edhe me studime të kësaj fushe me një diplomë të dytë universitare, shpresoj që një ditë të kem fatin edhe ta realizoj këtë qëllim. /2L ONLINE/