Shkruan: Musa Musliu
(2L ONLINE) – Shembull tipik i një pedagogu, një punëtori arsimor e një atdhetari të shquar se si duhet punuar në shkolla me nxënës, me gjeneratën e re, i tillë ishte Mumin Kastrati, i cili ndërroi jetë para pesëmbëdhjetë viteve.
Mumini kudo që ishte shkëlqente jo vetëm me vlerat e tij arsimore, pedagogjike e intelektuale, por edhe me ato morale e njerëzore. Kisha fatin dhe nderin që profesorin Mumin t’a njoh për së afërmi, sepse në klasën e pestë të shkollës fillore e kam pasur arsimtar të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e më vonë edhe si koleg pune (të dy profesorë të gjuhës dhe letërsisë shqipe) në Shkollën Fillore “Skënderbeu” në Hogosht.
Prandaj, me kompetencë dhe pa hamendje mund të them se sa më afër që e ke njohur atë, aq më i kthjellët i ishte shfaqur shkëlqimi, sinqeriteti, mençuria, miqësia dhe pamja e qeshur e gazmore.
Mumin Kastrati ishte lindur më 1 maj të vitit 1933 në Hogosht, lokalitet që shtrihet rrëzë maleve të Kikës legjendare dhe duke qenë edhe zonë kufitare me Serbinë, në këtë vend janë zhvilluar shumë luftëra të përgjakshme me hordhitë barbare serbe.
Shkollën fillore katërklasëshe Mumini e ka kryer në fshatin e lindjes, në Hogosht gjatë vitit shkollor 1945-46. Sipas të dhënave, klasën e fundit të progjimnazit e ka kryer në Gjilan në vitin shkollor 1949-50, ndërsa kursin e ultë pedagogjik e ka kryer në Prishtinë, prej 20 maj e gjer më 28 gusht të vitit 1951. Me qenë se në këtë periudhë kohore mungonin njerëzit që dinin shkrim e lexim shqip, Mumin Kastrati me shkollimin që e kishte bërë, më 1 shtator 1951, ka filluar të punoj si mësues në Shkollën Fillore të fshatit Hajkobillë, duke vazhduar gjerë më 15 janar 1953, ndërsa një ditë më vonë, më 16 janar 1953 ishte transferuar të punojë si mësues në fshatin Kremenatë të Komunës së Kamenicës, duke punuar gjerë në përfundimin e vitit shkollor më 31 gusht të vitit 1953. Pas përfundimit të kursit pedagogjik në Pejë, Mumini ka filluar të punojë arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në fshatin Muqivërc, pastaj pas mbarimit të Shkollës Normale në Prishtinë, në shtator të vitit 1955, ka filluar të punojë në fshatin e lindjes në Hogosht arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, kohë kur unë isha nxënës i tij.
Gjatë viteve 1956 – 58, ai ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në SHLP në Shkup. Pastaj, ka punuar arsimtar i kësaj lënde në fshatin Lipkovë të Komunës së Kumanovës. Veprimtaria e tij dhe edukimi i gjeneratave të reja në frymën atdhetare, po përcilleshin nga organet e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe në janar të vitit 1960, ai u dënua më 6 vite burgim të rëndë.
Pasi u lirua nga burgu (pas dy vitesh pauzë) Mumin Kastrati ka punuar si arsimtar i lëndës përkatëse në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Banjën e Siarinës, pastaj nga një shtatori i vitit 1968 e gjer më 31 gusht të vitit 1970 ka punuar si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
Në shtator të vitit 1970, Mumini kthehet në vendin e lindjes në Hogosht dhe filloi të punojë në shkollën fillore “Skënderbeu” si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Këtu isha duke punuar edhe unë fillimisht si arsimtar e pastaj edhe si drejtor i shkollës. Në angazhimet tona shpesh konsultoheshim për shumë gjëra.
Kah fundi i vitit 1973 dhe fillimi i vitit 1974, në Kosovë rrethanat politike u ndryshuan për shqiptarët. Pushteti i atëhershëm jugosllav kishte marrë vendim që çdo punëtorë arsimor që ka qenë i dënuar politikisht nuk ka të drejtë t’i arsimojë dhe edukojë nxënësit në shkolla. Për këtë çështje më informuan organet kompetente të Komunës së Kamenicës. U gjenda në një situatë shumë të vështirë si ta njoftoj arsimtarin, kolegun, mikun me një vendim të tillë. Por, burrat njihen në ditë të vështira. Mumini ishte në dijeni për zhvillimet. Më ndali dhe më tha: “Mos ik prej meje, sepse vendimet e pushtetit i di përpara teje, ti nuk po më largon, por pushtuesi.”
Ai e dinte se shqiptarët po rrezikoheshin për çdo ditë, sepse Mumini rrjedh nga një familje e njohur patriotike që ka qenë gjithnjë në shënjestër të pushtetit serbo-jugosllav. Ndjekjet politike, burgosjet dhe keqtrajtimet e atij pushteti nuk kishin të ndalur ndaj kësaj familje atdhetare. Kështu pas Muminit që burgoset më 1960, pastaj radhiten të gjithë vëllezërit e tij si: Rexhepi, Sabiti, Qemajli e Ismajli (për themelimin dhe udhëheqjen e Odës Ekonomike të Kosovës). Të gjithë këta ishin dënuar për shkak të krenarisë së tyre kombëtare, por edhe se ishin vëllezërit e Muharrem Fejzë-Kastratit, i likuiduar si një nga organizatorët e rezistencës kombëtare kundër forcave pushtuese serbe në vitin 1945. Në këtë kontekst nuk mund ta lëmë pa e përmendur nipin e Muminit, Isa Kastratin që nga familja kishte trashëguar një ndjenjë të lartë të atdhedashurisë dhe gatishmërisë për sakrifica sublime. Meqenëse ky nuk ishte pajtuar me padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve në vitin 1975 u burgos me 34 veprimtarë tjerë në krye me Adem Demaqin, simbolin e rezistencës kombëtare. Pastaj Isa pas daljes nga burgu në janar të vitit 1999 rreshtohet në radhët e UÇK-së dhe vritet më 21 prill të vitit 1999.
Prandaj, me plot bindje mund të thuhet se për Muminin pasuria më e madhe e tij ishte dashuria për vendin e tij, për çlirimin e atdheut një e herë e përgjithmonë, nga armiku shekullor serbo-çetnik, si ne të gjitha aspektet me kohë e kishte kuptuar se lufta për lirinë ishte e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë e formë për ta fituar lirinë dhe pavarësinë, për të cilën u derdhën lumenj gjaku.
Mumin Kastrati vdiq më 03.01. të vitit 2000 pa e përjetuar lirinë.
Është detyrë e jona t’i kujtojmë figurat e shquara shqiptare, sepse falë punës, aktivitet dhe kontributit të tyre, ne sot kemi krijuar shtetin, institucionet tona shtetërore publike dhe kemi shënuar rezultate të lakmueshme në shumë sfera dhe segmente të tij.
Lavdi jetës dhe veprës së Mumin Kastratit dhe të gjithë atyre që dhanë një kontribut për arsimimin e gjeneratave të reja në frymën kombëtare dhe për lirinë e popullit. /2L ONLINE/
(autori për dekada të tëra punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe).